Hungaria e lidhur me energjinë ruse, edhe pse BE përpiqet ta ndalë plotësisht varësinë

Ndërsa Bashkimi Evropian përpiqet të ndalë plotësisht varësinë e tij nga energjia ruse dhe administrata e SHBA-së nxit anëtarët e NATO-s të braktisin naftën ruse, qeveria populiste e Hungarisë qëndron e vendosur, sipas AP.
Hungaria dhe kryeministri i saj, Viktor Orban, kanë argumentuar prej kohësh se importet e energjisë ruse janë të domosdoshme për ekonominë e vendit dhe se kalimi te burimet e tjera të karburantit do të shkaktonte një kolaps të menjëhershëm ekonomik.
Orban ka mbajtur lidhjet më të ngrohta me Kremlinin nga çdo lider tjetër i BE-së dhe ka kundërshtuar fuqishëm përpjekjet e bllokut për të sanksionuar Moskën pas pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022.
Ndërsa pjesa tjetër e Evropës ka reduktuar përdorimin e energjisë ruse, Hungaria I ka ruajtur dhe madje rritur importet nga Rusia, duke insistuar se nuk ekziston një alternativë e qëndrueshme. Disa ekspertë të energjisë dhe kritikë të qeverisë së Orban argumentojnë se qëndrimi i Hungarisë është më shumë politik sesa ekonomik.
Orban paralajmëron se ekonomia do të “binte në gjunjë”
Sipas liderëve hungarezë, pozicioni i vendit i bën ata të varur nga karburantet ruse të transportuara përmes tubacioneve të ndërtuara gjatë periudhës së dominimit sovjetik. Pa këto furnizime, ekonomia hungareze nuk do të funksiononte.
Orban ka deklaruar se ndërprerja e furnizimeve ruse do të ulte performancën ekonomike të Hungarisë me 4% brenda një minute, duke e konsideruar këtë katastrofike.
Megjithatë, Laszla Miklos, inxhinier kimik dhe analist i industrisë së energjisë, thotë se nuk ka asnjë arsye racionale për mungesën e përpjekjeve për të gjetur burime alternative dhe se infrastruktura për furnizimin me naftë dhe gaz jo-rus është e disponueshme.
Ndërprerja e importeve ruse
Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, vendet e BE-së reduktuan importet e naftës dhe gazit rus, duke vendosur një embargo ndaj naftës ruse në 2022 dhe duke propozuar një ndalim gradual të importeve të të gjitha burimeve ruse deri në fund të 2027. Hungaria, si vend i brendshëm dhe i varur nga tubacionet, përfitoi një përjashtim të përkohshëm.
Analistët thonë se ky përjashtim ka lejuar qeverinë hungareze dhe kompania shtetërore “MOL” të përfitojnë fitime të mëdha dhe të transferojnë miliarda dollarë në buxhetin e Rusisë.
Kalimi te burime perëndimore
Qeveria hungareze argumenton se përpjekjet e BE-së janë të gabuar dhe të motivuara ideologjikisht. Sipas ministrit të Jashtëm Peter Szijjarto, vendndodhja gjeografike përcakton burimet energjetike të mundshme dhe nuk mund të zëvendësohen vetëm me ëndërra për furnizime nga vende të tjera.
Megjithatë, vende të tjera të rajonit, si Republika Çeke, kanë arritur të ndalojnë importet e naftës ruse duke përdorur linja tubacioni alternative, siç është tubacioni italian që dyfishon kapacitetin e furnizimeve të tyre.
Hungaria ka një tubacion dytësor, “Adria”, nga Adriatiku i Kroacisë, i cili mund të zvogëlojë pjesërisht varësinë nga Rusia, sipas ekspertëve.
Kostoja e alternativave
Qeveria hungareze ka paraqitur ndërprerjen e importeve ruse si kërcënim ekzistencial për programet e subvencionimit të energjisë për qytetarët.
Orban ka deklaruar se faturat e energjisë do të dyfishohen dhe ato të gazit do të trefishohen pa furnizime ruse. Analistët e pavarur thonë se çmimi i gazit rus në Hungari nuk është shumë më i ulët se ai i burimeve jo-ruse dhe çdo rritje do të ishte minimale, nën 5%.
Megjithëse politikisht Hungaria duket e angazhuar ndaj energjisë ruse, kompania “MOL” ka investuar në furnizime dhe për të përpunuar naftë jo-ruse, duke planifikuar që deri në fund të 2026 të ketë më shumë mundësi furnizimi.
Ekspertët parashikojnë se ndikimi i BE-së do të detyrojë Hungarinë të ndryshojë strategjinë e saj, pasi Rusia nuk konsiderohet më një partner i besueshëm.



