Trump do takohet me Zelenskyn të premten në Uashington, presidenti amerikan tani synon paqen në Ukrainë

Presidenti amerikan, Donald Trump, do të takohet të premten me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në kuadër të një dreke pune, bëri të ditur sot një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.
Dy liderët kanë pasur kontakte të vazhdueshme edhe gjatë fundjavës, përkatësisht të shtunën dhe të dielën, ndërkohë që Zelensky ka kërkuar më shumë armë amerikane për të përballuar sulmet ruse.
Më herët gjatë ditës së sotme, presidenti ukrainas vlerësoi se armëpushimi i arritur në Gaza, me ndërmjetësimin e Donald Trump, sjell “shpresë të re për paqe” edhe për Ukrainën. Sipas Zelensky-t, Trump mund të luajë një rol të rëndësishëm ndërmjetësues në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit me Rusinë.
“Kur arrihet paqja në një pjesë të botës, kjo sjell më shumë shpresë për paqe edhe në rajone të tjera”, shkroi Zelensky në një postim në Facebook. Ai shtoi se “udhëheqja dhe vendosmëria e aktorëve ndërkombëtarë mund të funksionojnë në favorin tonë, edhe në Ukrainë”, duke vlerësuar këto cilësi te presidenti amerikan, Donald Trump.

