TAJVANI NDËRTON KUPOLËN MBROJTËSE! Presidenti William Lai: Mburojë kundër kërcënimeve armiqësore
Tajvani vihet në lëvizje dhe thotë se do të ndërtojë një kupolë mbrojtëse ajrore, kundër kërcënimëve armiqësore. Njoftimi u bë nga Presidenti i Tajvanit, William Lai, gjatë fjalimit për Ditën Kombëtare, në një kohë kur tensionet me Kinën janë në rritje

Tajvani ka shpallur planin për ndërtimin e një sistemi të ri mbrojtës ajror, të quajtur “T-Dome”, që synon të krijojë një kupolë sigurie mbi hapësirën ajrore të vendit për t’u mbrojtur nga kërcënimet e mundshme ushtarake.
Njoftimi u bë nga Presidenti i Tajvanit, William Lai, gjatë fjalimit për Ditën Kombëtare, në një kohë kur tensionet me Kinën janë në rritje.
Edhe pse Lai nuk e përmendi drejtpërdrejt Pekinin, vendimi vjen menjëherë pas paralajmërimeve të qeverisë se Kina po rrit aftësitë e saj për një sulm të mundshëm ndaj ishullit.
Sipas planit, sistemi “T-Dome” do të funksionojë në mënyrë të ngjashme me Kupolën e Hekurt të Izraelit, e njohur për suksesin në kapjen e raketave me rreze të shkurtër veprimi.
Presidenti Lai tha se sistemi do të ofrojë mbrojtje shumështresore, duke kombinuar teknologji të avancuar për zbulim dhe përgjim, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga çdo kërcënim ajror.
Sipas tij, forcimi i mbrojtjes kombëtare është domosdoshmëri, ndërsa Tajvani planifikon të rrisë shpenzimet ushtarake në mbi 3 për qind të PBB-së vitin e ardhshëm dhe deri në 5 për qind deri në vitin 2030.
Megjithatë, zbatimi i këtij projekti pritet të përballet me sfida në legjislaturën e kontrolluar nga opozita, e cila ka bllokuar disa buxhete për mbrojtjen gjatë këtij viti.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit paralajmëron se stërvitjet ushtarake të Kinës mund të shndërrohen papritur në sulme të vërteta, duke kapur ishullin në befasi.
Ndërkohë deri tani, Pekini nuk ka reaguar ndaj njoftimit të presidentit Lai.


