Shkatërrohet banda italo-shqiptare në Romë, e trafikonin drogën si delivery

Trafikonin doza kokaine, marijuane e hashashi që në gjuhën e koduar e quanin "gjilpëra", e kishin aftësi të furnizonin klientët 24 orë non stop në vendet e oraret që dëshironin ata.
Kjo është skema kriminale e zbardhur nga Antidroga e Guardia di Finanza Italiane e cila ka çuar në shkatërrimin e një grupi trafikantësh italo-shqiptarë drejtuar nga dy vëllezër shqiptarë.
Në masa ndalimi janë vënë 7 persona, 2 në burg, 2 në arrest shtëpiak e 3 të tjerë në detyrim paraqitje.
Dy vëllezërit shqiptarë kishin si bazë të aktivitetit të tyre komunat Vitina e Acilia në provincën e Romës e kishin marrë autorizimin nga kriminaliteti lokal autokton, për të qenë pikë referimi në menaxhimin e trafikut të drogës në këto territore.
Qendra operative e këtij grupi kriminal ishte një sallë lojërash fati në Vitinia e sipas hetimeve të autoriteteve italiane klientët furnizoheshin sipas mënyrës "Stop and go", u dorëzoheshin dozat e kërkuar pa zbritur nga automjetet, me të cilat prezantoheshin në takim.
Gjatë fazës investigative janë kapur 2.3 kg doza drogë kokaine, marijuane e hashashi e janë arrestuar në flagrancë 5 korrierë droge.
Personat e ndaluar janë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane.


