Rusia nis hetim penal ndaj themeluesit të ‘Telegram’

Autoritetet ruse kanë nisur një hetim penal ndaj Pavel Durov, themeluesit të rrjetit social Telegram, për “lehtësim të veprimtarive terroriste”.
Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se lajmi u publikua nga gazeta shtetërore “Rossiyskaya Gazeta”, e cila citon FSB, shërbimin kryesor federal të sigurisë në Rusi.
Sipas Reuters, kompania që administron platformën ka hedhur poshtë ditët e fundit një sërë akuzash nga Moska, veçanërisht pretendimet se ofron mjete për kryerjen e aktiviteteve kriminale pa ndëshkim dhe se është infiltruar nga shërbimet sekrete perëndimore dhe ukrainase.
“Sjelljet e kreut të Telegram, P. Durov, po hetohen në kuadër të një çështjeje penale”, konkretisht në bazë të “paragrafit 1.1 të nenit 205.1 (ndihmë për kryerjen e akteve terroriste) të Kodit Penal të Rusisë”, thuhet në artikullin e gazetës, që i referohet materialeve të FSB-së.
Rregullatori rus i telekomunikacioneve ka njoftuar tashmë gjatë periudhës së fundit sanksione dhe kufizime ndaj Telegram, që gëzon përdorim të gjerë në Rusi, si për komunikime private ashtu edhe publike.
Autoriteti pretendon se masat u morën për shkak se kompania nuk fshin përmbajtje që Moska e konsideron ekstremiste.
Autoritetet ruse po përpiqen gjithashtu të bindin qytetarët të braktisin këtë platformë dhe të përdorin një alternativë të mbështetur nga shteti, MAX, e cila ka nisur funksionimin rreth një vit më parë.

