Raporti gjerman: Kina përgjegjëse për 80 për qind të shmangieve të sanksioneve ndaj Rusisë

Raporti i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë ishte një përmbledhje e takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së të mbajtur në Bruksel më 20 maj. Përveç Kinës, raporti thotë se vështirësitë vazhdojnë edhe me Kazakistanin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqinë.
Teksa Emiratet e Bashkuara Arabe pretendojnë se eksportet janë ndalur, raporti thekson se nuk ofrohen statistika dhe se të dhënat e importit sugjerojnë të kundërtën.
Në raport shtohet gjithashtu se edhe kompani të BE-së janë të përfshira në shmangien e sanksioneve, gjë që e dobëson pozicionin e Komisionit Evropian në negociatat me vendet e treta për vendosjen e masave.
Raportimet për këtë çështje vijnë më pak se një javë pasi blloku ndërmori një hap të madh drejt ndërprerjes së importit të plehrave azotike nga Rusia dhe Bjellorusia, duke miratuar tarifa që synojnë ta bëjnë ekonomikisht të paqëndrueshme blerjen e tyre brenda tre vjetësh.
Udhëheqësit evropianë kanë kërcënuar gjithashtu Rusinë me një paketë “masive” sanksionesh nëse Moska nuk pranon një armëpushim 30-ditor të propozuar nga Uashingtoni.
Ata kanë sugjeruar se paketa e ardhshme e sanksioneve – që do të ishte e 18-ta nga BE-ja – mund të përfshijë sektorin e energjisë dhe masa financiare./REL

