Maratona e vrapimit për fëmijë, festime dhe kampionat me rastin e 1 Qershorit

Maratona e vrapimit për fëmijë, festime dhe kampionat me rastin e

Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, komuniteti “Tirana Running Club”, në bashkëpunim me Olympia Education dhe me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe APR, organizon eventin “Run & Have Fun”, një aktivitet sportiv dhe festiv i kushtuar fëmijëve.

“Ky aktivitet është më shumë se një festë, është një nismë për të promovuar rëndësinë e sportit dhe lëvizjes që në moshë të vogël”, shprehet organizatori Endri Çela për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

“Për ne, “Run & Have Fun” është një mënyrë për të mbjellë pasionin për një jetë aktive dhe të shëndetshme. Është një ftesë për të gjithë prindërit që të sjellin fëmijët e tyre në këtë ditë plot energji dhe gëzim”, vijon ai.

“Ne besojmë se përmes aktiviteteve të tilla, fëmijët krijojnë lidhje të shëndetshme me sportin, mësojnë vlera si bashkëpunimi, përkushtimi dhe vetëbesimi”, nënvizon Çela.

Aktiviteti do të zhvillohet te Diga e Liqenit Artificial, ku pritet të marrin pjesë mbi 200 fëmijë, ndërsa do të përfshijë vrapime simbolike, lojëra argëtuese që pritet të krijojnë një atmosferë festive.

Gjatë aktivitetit çdo fëmijë do të pajiset me bluzën e tij/saj të vrapimit, një medalje, si dhe do të ketë çmime speciale për fituesit e vegjël, të cilat do të ndahen nga kampionia Luiza Gega, një figurë frymëzuese për çdo sportist të ardhshëm.

EMISIONET