Pse u sulmua Irani? Seferi: Përplasja ishte e papritur për të gjithë, pasi po diskutohej armëpushimi në Gaza. Demonstrim force i Izraelit në Lindjen e Mesme
Irani dhe Izraeli shënjestruan njëri-tjetrin me raketa dhe sulme ajrore herët të shtunën, pasi Izraeli nisi ofensivën e tij më të madhe ajrore të premten kundër armikut të tij të hershëm, në një përpjekje, sipas tij, për ta parandaluar atë të zhvillonte një armë bërthamore.
Por a e nxit kjo përplasje e armatosur përshkallëzimin e konfliktit me përdorim konkret të sulmeve bërthamore?
Për të kuptuar më shumë mbi këtë konflikt që sa vjen dhe ashpërsohet në studion e lajmeve në “Ora News” i ftuar në një intervistë ishte analisti Leonard Seferi.
“Duhet të kujtojmë se mes dy vendeve ka pasur sulme edhe të mëparshme, si nga Izraeli ndaj Iranit dhe e anasjella. Pra është një konflikt që hera-herës ka mbajtur trajtën e presioneve si verbale, ku kemi qenë dëshmitarë që kjo trajtë ka shkuar në përshkallëzim duke përdorur armë dhe dronë të ndryshëm.
Ishte në një farë forme e papritur ky sulm, pasi ndodhi në një kohë kur po flitej për situatën në Gaza dhe ku Presidenti amerikan Trump kërkon një zgjidhje me armëpushim afatgjatë, ku dhe gjatë fushatës së tij këtë armëpushim e ka pasur një nga pikat më të forta të tij për zgjidhjen e gjithë krizave globale dhe epiqendrat e luftrave në botë. Por ky është një konflikt që njihet për të gjitha dinamikat që mbart”, theksoi Seferi.
Po për çfarë po bëhet gjithë kjo luftë?
“Ka motivacionin se Irani po ndërmerr nisma për zhvillimin e armëve bërthamore dhe për të penguar këtë gjë, Izraeli thotë se janë goditur vetëm zonat ku po punohet për prodhimin e armëve bërthamore ndërsa thekson se nuk ka asnjë problem me popullatën atje. Të paktën kjo është ajo që thuhet.
Por patjetër që aty shihet fakti se Izraeli mbetet një faktor dhe zë i fuqishëm ushtarak në Lindjen e Mesme dhe i cili kundërpërgjigjet edhe me forcë nëse e vlerëson të tillë”, theksoi analisti Leonard Seferi.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ANALISTIN LEONARD SEFERI


