PERU – Shpallet gjendja e jashtëzakonshme në rajonin e Limës pas protestave

PERU – Shpallet gjendja e jashtëzakonshme në rajonin e

Qeveria e re e Perusë shpalli dje gjendjen e jashtëzakonshme në kryeqytetin, Lima dhe rajonin përreth pas përleshjeve të dhunshme në të cilat media raportoi dhjetëra oficerë policie të plagosur.

Presidenti i ri peruan, José Jerí tha në një mesazh drejtuar kombit nga Pallati Qeveritar në Lima – se gjendja e jashtëzakonshme do të zgjaste për 30 ditë dhe do të hynte në fuqi në mesnatë e së mërkurës.

Jerí tha se krimi është rritur jashtëzakonisht shumë vitet e fundit, duke shkaktuar dhimbje për mijëra familje.

“Sot fillojmë të ndryshojmë historinë në luftën kundër pasigurisë në Peru”, tha ai.

“Po kalojmë nga mbrojtja në sulm në luftën kundër krimit. Luftërat fitohen me veprime, jo me fjalë”, tha presidenti Jeri.

Kryeministri Ernesto Álvarez, javën e kaluar tha se qeveria e re po punonte për masat e emergjencës, duke përmendur rritjen e krimit në kryeqytet.

Protestat në Lima kanë çuar në përleshje të dhunshme. Media peruane raportoi se një demonstrues ishte vrarë nga të shtënat me armë zjarri, përveç oficerëve të plagosur të policisë.

Álvarez u betua si kryeministër më 15 tetor.

Vendi, me popullsinë e tij prej rreth 34 milionë banorësh, ka qenë në trazira politike për muaj të tërë.

Më herët këtë muaj, paraardhësja e Jerí, Dina Boluarte, u shkarkua nga detyra për “paaftësi morale” pasi u përball me kritika për përdorimin e tepërt të forcës policore dhe shfaqjen e orëve të shtrenjta.

Largimi i saj pas gati tre vitesh si presidente u parapri nga protesta masive, gjatë të cilave brezi i ri në veçanti shprehu pakënaqësinë e tij për çështje të tilla si dhuna dhe korrupsioni.

EMISIONET