Norvegjia premton 140 milionë dollarë për energjinë ukrainase, ndërsa Zelensky nis turneun nordik

Norvegjia premton 140 milionë dollarë për energjinë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky mbërriti sot në Norvegji për bisedime me kryeministrin Jonas Gahr Store, disa ditë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump sugjeroi që lufta duhet të përfundonte në vijat aktuale të frontit me Rusinë – që përfshin shumicën e territoreve të pushtuara, “The Kyiv Independent”.

Store u tha gazetarëve se evropianët “e mbështesin shumë” qëndrimin e Zelensky – ndërsa theksoi rëndësinë e një Evrope të bashkuar.

Zelensky mbërriti sot në mëngjes në Aeroportin Gardermoen nën masa të rrepta sigurie.

Presidenti ukrainas shoqërohej nga Zonja e Parë Olena Zelenska dhe ministri i Jashtëm Andriy Sybiha.

Store konfirmoi se zhvillimet e fundit e kanë zhvendosur fokusin në diskutimet territoriale.

“Ajo që ka ndodhur ditët e fundit është se pika fillestare për çështjet territoriale është vija e frontit”, tha kryeministri norvegjez.

Norvegjia njoftoi një ndihmë shtesë prej 1,5 miliardë korona norvegjeze (129 millionë euro) – për të siguruar energji elektrike dhe ngrohje në Ukrainë.

“Mbështetja e Norvegjisë për Ukrainën është e fortë dhe vazhdon. Është thelbësore të kemi dialog të ngushtë me autoritetet ukrainase, në mënyrë që mbështetja të përmbushë nevojat në terren në Ukrainë”, tha Store.

Takimi vjen disa ditë pas vizitës së Zelensky në Uashington, ku ai u takua me presidentin e SHBA-së Donald Trump.

Pas këtij takimi, Trump tha se lufta duhej të përfundonte në vijat aktuale të frontit, me Rusinë që kryesisht mban nën kontroll territoret e pushtuara.

Zelensky ka planifikuar të udhëtojë sot në Suedi për t’u takuar me kryeministrin Ulf Kristersson.

Sipas një njoftimi për shtyp nga qeveria suedeze, ata do të diskutojnë luftën në Ukrainë dhe bashkëpunimin në mbrojtje.

EMISIONET