Përpl*sja me Zelenskyn, J.D. Vance: Ishte e dobishme! Kemi dallime, por duam të mbrojmë integritetin territorial të Ukrainës

Përplasja e ashpër që ndodhi në muajin shkurt mes zëvendëspresidentit amerikan, J.D. Vance, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Zyrën Ovale, është cilësuar si një pikë kthese në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Kievit.
Edhe pse e tensionuar, Vance ka deklaruar se ky konfrontim ndihmoi në zbardhjen e mosmarrëveshjeve reale mes palëve, duke shtuar se administrata Trump tani është në një linjë të përbashkët me presidentin Zelensky në drejtim të një zgjidhjeje paqësore të luftës.
Zëvendëspresidenti amerikan, në një intervistë për USA Today, pranoi se përplasja me Zelenskyn ishte e dobishme, pasi ekspozoi çështje që nuk ishin diskutuar më parë hapur. Megjithatë, ai shprehu zhgënjimin e tij që përballja u bë në mënyrë publike.
“Shikoni, ndonjëherë njerëzit nuk bien dakord,” tha Vance. “Doja që kjo të ndodhte përpara kamerave në Zyrën Ovale? Jo domosdoshmërisht.” Sipas tij, tensioni ndihmoi opinionin publik amerikan të kuptojë më mirë dallimet mes dy qeverive.
Përplasja mori jehonë të madhe ndërkombëtare, duke shkaktuar reagime të menjëhershme nga Evropa. Gjermania, përmes Friedrich Merz, e cilësoi incidentin si një përshkallëzim të qëllimshëm nga ana e Shteteve të Bashkuara.
Kritikat e Vance ndaj presidentit ukrainas kishin të bënin kryesisht me mungesën e vullnetit për negociata me Rusinë, edhe pse kanë kaluar tre vite nga fillimi i pushtimit rus.
Vance theksoi gjithashtu se zhgënjimi i tij më i madh nuk qëndron tek Zelensky, por tek qasja e paqartë e administratës Biden, e cila, sipas tij, “ka dhënë miliarda ndihma për Ukrainën pa ndonjë qëllim të qartë dhe pa një qasje të vërtetë diplomatike.”
Ai vuri në dukje se ajo që e shqetëson më shumë është mungesa e një strategjie për përfundimin e luftës.
Sipas Vance, administrata Trump është tani “shumë e përafruar me presidentin Zelensky” në synimin për një marrëveshje paqësore. “Edhe pse kemi disa dallime, natyrisht që duam të mbrojmë integritetin territorial të Ukrainës,” tha ai, duke shtuar: “Nuk duam që Rusia të pushtojë të gjithë vendin.”

