Operacion në Kanalin Anglez/ Britania ndalon tankerin e lidhur me “flotën e hijes” ruse

Forcat e armatosura të Mbretërisë së Bashkuar kanë ndërhyrë në Kanalin Anglez në një operacion kundër një tankeri të dyshuar si pjesë e të ashtuquajturës “flota e hijes” ruse, e cila përdoret për transportin e naftës nën sanksione.
Sipas autoriteteve britanike, operacioni ka zgjatur rreth gjashtë orë dhe është zhvilluar me pjesëmarrjen e marinsave mbretërorë, forcave të Agjencisë Kombëtare kundër Krimit dhe mbështetjes ajrore nga Forca Ajrore Mbretërore.
Anija e identifikuar si “Smyrtos” është ndaluar dhe aktualisht po mbahet nën mbikëqyrje pranë bregdetit jugor të Anglisë, ndërsa hetimet për origjinën dhe aktivitetin e saj po vazhdojnë.
Në operacion janë përdorur edhe avionë patrullues detarë dhe anije luftarake britanike, si pjesë e një aksioni të koordinuar për të goditur rrjetin që dyshohet se ndihmon Rusinë të shmangë sanksionet ndërkombëtare mbi eksportin e naftës.
Zyrtarët britanikë thonë se kjo flotë e fshehtë, që përbëhet nga qindra anije me struktura të paqarta pronësie, përdoret për të vazhduar tregtinë e naftës ruse pavarësisht kufizimeve të vendosura pas luftës në Ukrainë. Sipas Londrës, ky rrjet mbetet një burim i rëndësishëm financimi për Moskën.
Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj një numri të madh anijesh të tilla dhe paralajmëron se operacionet për kontrollin dhe bllokimin e tyre do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
.


