Në pritje të “Grammy”, në mbrëmje vjen edicioni i 65-të, shpallen fituesit në 91 kategori

Në Los Anxheles do të mbahet ceremonia e 65-të e çmimeve “Grammy”. Për të tretin vit radhazi, eventi do të prezantohet nga komediani Trevor Noah ndërsa vlerësime do të ketë në 91 kategori. Beyoncé kryeson nominimet.
Mbrëmjen e kësaj të diele në Los Los Anxheles do të mbahet ceremonia e 65-të e çmimeve “Grammy”. Për të tretin vit radhazi, eventi do të prezantohet nga komediani Trevor Noah ndërsa vlerësime do të ketë në 91 kategori, nga “Albumi më i mirë i epokës së re” e deri te çmimi më i madh “Albumi i vitit”.
Beyoncé kryeson nominimet, me nëntë gjithsej, e ndjekur nga Kendrick Lamar me tetë, dhe Adele dhe Brandi Carlile, me nga shtatë secila. Megjithatë diva amerikane mbetet këngëtarja më e vlerësuar në historinë e “Grammy”, me 28 fitore. Këtë vit, ajo barazoi bashkëshortin e saj Jay-Z më 88 nominime. Asaj i duhen vetëm katër fitore për të mposhtur rekordin që aktualisht mbahet nga dirigjenti i ndjerë Georg Solti.
Taylor Swift është një nga tre artistët që ka fituar albumin e vitit tre herë; por rekordi i saj i fundit, “Midnights”, doli shumë vonë për t'u kualifikuar për ceremoninë e këtij viti. Megjithatë, Swift sërish arriti të marrë katër nominime, duke përfshirë këngën e vitit për versionin e zgjeruar dhe të ri-regjistruar të “All Too well”. Ajo kurrë nuk e ka fituar atë çmim më parë, pavarësisht gjashtë nominimeve.
Ceremonia do të ketë gjithashtu shfaqje nga disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës dhe homazhe për yjet që kemi humbur. Nga Coolio te Olivia Newton-John, bota I ka thënë lamtumirë një numri të madh muzikantësh në 12 muajt e fundit.
Priten shumë surpriza, mes tyre ndoshta një çmim edhe për Ozzy Osbourne i cili hera e fundit kur fitoi një “Grammy”, ishte për një këngë nga Live & Loud, albumi i tij i supozuar i lamtumirës, në 1994.

