NATO nis patrullimet ajrore në kufirin Rumani-Ukrainë

NATO nis patrullimet ajrore në kufirin Rumani-Ukrainë

Siguria ajrore ka qenë një shqetësim kryesor në Ukrainë që nga fillimi i sulmit rus dhe për vendet e NATO-s në kufi me Ukrainën dhe Rusinë, kjo është një përgjegjësi, që ndahet mes vendeve anëtare.

Pilotët e avionëve luftarakë nga Italia, Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera dislokohen me rotacion në vendet e krahut lindor të aleancës për të patrulluar vazhdimisht hapësirën ajrore të NATO-s.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb, bisedoi me anëtarët e Forcave Ajrore Italiane ndërsa ata po bënin stërvitje për të interceptuar kërcënimet që mund të shfaqen në hapësirën ajrore të Rumanisë.

Një avion italian “Eurofighter” patrullon hapësirën ajrore pranë kufirit të Rumanisë me Ukrainën.

Koloneli italian Michele Morelli tha për Zërin e Amerikës se ekipi i tij prej 150 personash mbërriti në këtë bazë ajrore rumune për një mision:

“Në thelb, ne jemi këtu për të mbrojtur hapësirën ajrore rumune nga çdo lloj kërcënimi që mund të shfaqet”, thotë ai.

Ata janë pjesë e një operacioni masiv të patrullimit të hapësirës ajrore të NATO-s, i krijuar në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

Rusia mund të thotë se kjo është provokuese, por NATO thekson se kjo është thjeshtë një përpjekje për frenimin e shkeljes së hapësirës së saj ajrore.

“Natyrisht, kjo është një masë për frenimin e krëcënimeve. Ne nuk jemi këtu për të marrë pjesë në ndonjë luftë”, thotë koloneli italian Morelli.

Ata shërbejnë si një lloj mbrojtje kolektive në të gjithë hapësirën ajrore të NATO-s.

“Nëse ka kërcënime, ata nuk mund të presin që një vend i vetëm të përballet me atë kërcënim, por një organizatë e madhe si NATO, me shumë avionë luftarakë, shumë pilotë të gatshëm për të mbrojtur vendin”, thotë piloti italian.

Avionët civilë janë shumë më të ngadalshëm se ata luftarakë, të cilët arrijnë shpejtësinë prej 11 kilometrash në minutë. Një ekip prej dy avionësh është gjithmonë në gatishmëri të lartë për interceptime të mundshme dhe duhet të jenë gati të ngrihen në ajër brenda më pak se 15 minutash.

Për të testuar gatishmërinë e tyre, Morelli dhe ekipi i tij italian kryejnë stërvitje për të parë se sa shpejt mund të ngriten në ajër. Këto prova ata i bëjnë në çdo moment, ditën dhe natën.

Duke marrë parasysh agresionin e Rusisë në Ukrainë, analistët e mbrojtjes thonë se pilotët si Morelli janë bërë faktorë shtesë jetik në krahun lindor të NATO-s.

“Në javët e ardhshme pritet të ketë një ofensivë ushtarake ruse, që disa thonë se tashmë mund të ketë filluar. Kështu që këta pilotë të NATO-s do të vëzhgojnë aktivitetin e Forcave Ajrore Ruse”, thotë Samuel Bendett nga Qendra për Sigurinë e Re Amerikane.

Ekipit të Morellit iu deshën vetëm 11 minuta për t’u ngritur në ajër. Por piloti italian thotë se ata do të kryejnë një stërvitje tjetër brenda disa ditësh për të përmirësuar më tej shpejtësinë e reagimit, duke e ditur se çdo sekondë është e rëndësishme nëse përballen me një kërcënim real në hapësirën ajrore të NATO-s./ VOA

EMISIONET