NATO: Konflikti në Ukrainë mund të zgjasë me vite

Parashikimet e NATO-s janë ogurzeza për përfundimin e luftës në Ukrainë. Kreu i Aleancës thotë se konflikti mund të zgjasë me vite të tëra, por është zotuar se vendet anëtare do të sigurojnë suport ushtarak për Kievin në terma afatgjatë.

Parashikimet e NATO-s lidhur me përfundimin e luftës në Ukrainë po bëhen edhe më dëshpëruese.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg ka deklaruar së fundmi se lufta në lindje të Evropës mund të vazhdojë me vite, por NATO do të siguronte suport të vazhdueshëm për Ukrainën.

Stoltenberg: Neve na duhet të përgatitemi për periudhë afatgjatë. Ka mundësi që kjo luftë të vazhdojë për muaj dhe vite. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë për vite mbështetjen për Ukrainën në luftën kundër Rusisë, duke përfshirë edhe ndihmën ndaj Kievit që të zëvendësojë armët e periudhës sovjetike me sisteme moderne armatimi.

Komentet e shefit të Aleancës erdhën pasi Moska paralajmëroi perëndimin se dërgesat e armëve të perëndimit në Ukrainë përbëjnë kërcënim për sigurinë në kontinentin evropian, duke krijuar destabilitet.

Shtetet e NATO-s i kanë dërguar deri më tani Ukrainës armë të periudhës sovjetike, të cilat kanë qenë nëpër vendet anëtare të Evropës Lindore, ndonëse së fundi Shtetet e Bashkuara dhe disa vende aleate kanë nisur t’i dërgojnë Kievit armë moderne.

Presidenti amerikan, Joe Biden i ka kërkuar Kongresit amerikan të dislokojë 33 miliardë dollarë në mbështetje të Ukrainës, nga të cilat 20 miliardë do të shkojnë për armë, municione dhe ndihma të tjera ushtarake.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë në përditësimin e saj të fundit më 29 prill se Donbasi mbetet fokusi kryesor strategjik i Rusisë, me qëllim marrjen nën kontroll të plotë të të ashtuquajturave republikës së Donetsk dhe asaj të Luhansk.

EMISIONET