Mbështetësit e opozitës përplasen me policinë në Kamerun! Tchiroma Bakary: Jam president legjitim

Tensionet pas zgjedhjeve presidenciale në Kamerun kanë shpërthyer në dhunë, me katër të vrarë dhe dhjetëra të plagosur gjatë protestave kundër regjimit të Paul Biya-s. Opozita pretendon fitore, ndërsa vendi pret rezultatet zyrtare

Mbështetësit e opozitës përplasen me policinë në

Të paktën katër persona kanë humbur jetën në protestat e dhunshme në qytetin port të Doualës, në Kamerun, pak ditë para shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale, që po shënohen nga tensione të larta politike dhe përplasje midis mbështetësve të opozitës dhe forcave të sigurisë.

Guvernatori rajonal, Samuel Dieudonné Diboua, konfirmoi se protestuesit kishin sulmuar disa poste policie dhe se “forcat e sigurisë u detyruan të vetëmbroheshin”.

Ai i dënoi ngjarjet si “akte të paramenduara dhune” dhe “një sulm serioz ndaj rendit publik dhe sigurisë kombëtare”. “Katër persona fatkeqësisht humbën jetën dhe disa efektivë u plagosën,” deklaroi Diboua, duke shtuar se janë hapur hetime për të zbardhur rrethanat.

Përplasjet shpërthyen pasi qindra mbështetës të kandidatit opozitar Isa Tchiroma Bakary sfiduan ndalimin e protestave dhe dolën në rrugë në disa qytete të vendit, duke akuzuar qeverinë për “vjedhje të votës”.

Demonstratat, fillimisht paqësore, degjeneruan në dhunë pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë, të cilat përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmat.

Tchiroma Bakary, ish-ministër dhe dikur aleat i presidentit Paul Biya, që udhëheq Kamerunin prej 43 vitesh, ka deklaruar se ai është fituesi i zgjedhjeve të 12 tetorit, duke pretenduar se ka marrë “rreth 55 për qind të votave” bazuar në rezultatet e mbledhura nga qendrat lokale të votimit.

“Ne nuk do të pranojmë një votë të vjedhur. Jam presidenti ligjor dhe legjitim i Kamerunit,” tha ai në një video të publikuar në rrjete sociale.

Partia në pushtet, CPDM, ka hedhur poshtë pretendimet e tij, duke theksuar se vetëm Këshilli Kushtetues ka të drejtë të shpallë rezultatin zyrtar të zgjedhjeve. Ky institucion, i dominuar nga gjyqtarë të emëruar nga Biya, ka rrëzuar tetë ankimime të tjera të opozitës, duke mos gjetur prova për manipulime.

Në qytetin verior Garoua, bastioni i Tchiroma Bakary-t, protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimin “Kërkojmë të vërtetën e votës” dhe “Trump, ndihmo Kamerunin!”, ndërsa në Douala thërrisnin në kor: “Duam Tchiroma!”. Autoritetet kanë ndaluar çdo grumbullim publik deri të hënën, kur pritet shpallja zyrtare e rezultateve presidenciale.

Me situatën që mbetet e tensionuar dhe me akuza për manipulim e shtypje politike, Kameruni ndodhet përballë një momenti kritik për stabilitetin dhe demokracinë e tij të brishtë.

EMISIONET