Kush ishte perandoreshë Matilda? Gruaja e harruar që pothuajse u bë mbretëresha e parë e Anglisë

Kush ishte perandoreshë Matilda? Gruaja e harruar që pothuajse u

Kur anija White Ship u mbyt në vitin 1120 dhe shkatërroi linjën e trashëgimisë së Anglisë, mbretëria ra në kaos.

Ndër të gjithë trashëgimtarët legjitimë, vetëm një vajzë adoleshente mbeti gjallë: Matilda.

Edhe me mbështetjen, fillimisht të ngurruar, të të atit, mbretit Henri I, 25-vjeçarja Matilda nuk arriti dot atë që do të ishte një precedent historik: të sundonte si mbretëreshë në të drejtën e saj.

Historia e Matildës, dhe ndoshta një “mungesë e vendosmërisë së pamëshirshme”, e çoi drejt asaj që pothuajse do ta bënte gruan e parë që sundoi Anglinë.

Rruga e Matildës drejt pushtetit

Në vitin 1112, vetëm tetë vjeç, mbreti Henri I e dërgoi Matildën në Gjermani për t’u martuar me Henri V, perandorin e shenjtë romak.

Ajo u rrit në oborrin gjerman, duke mësuar si të mbijetonte larg familjes së saj të fuqishme. Historiania Catherine Hanley thotë se ato vite krijuan “një bërthamë çeliku”. Vajza e vogël e kuptoi misionin e saj dhe e pranoi me vendosmëri.

Vendosmëria e saj e la mbresa te Henri V. Pas kurorëzimit të saj si perandoreshë në vitin 1114, ai e trajtoi si këshilltare politike dhe bashkëdrejtuese.

Në vitin 1118, kur ai luftonte jashtë vendit, Matilda u caktua si regjentja e tij dhe iu besua drejtimi i Italisë.

Por mbytja e White Ship në vitin 1120 dhe vdekja e bashkëshortit në 1125 e lanë Matildën në një pozitë të pasigurt.

Ajo u kthye në Angli si e ve, por aftësitë që kishte fituar jashtë dhe prania e saj politike e intriguam mbretin Henri I.

Tragjedia e kishte shkatërruar mbretin: humbja e djalit të tij të vetëm legjitim do të thoshte humbje të dinastisë dhe rrezik lufte civile.

Duke njohur aftësitë e Matildës, Henri I thirri fisnikërinë në Krishtlindjen e vitit 1127 dhe shpalli se vajza e tij dhe çdo trashëgimtar mashkull i saj do të ishin në vijën e parë për fronin.

Ai ndërmjetësoi gjithashtu një martesë të re politike: Matilda duhej të martohej me Geoffrey-n e Anzhusë, sundimtar i Normandisë, një aleancë e rëndësishme për zgjerimin e pushtetit të tij. Pak pasi fisnikët u betuan për besnikëri, Henri I vdiq në 1135.

Kështu filloi gara e ethshme e fisnikëve meshkuj për të përmbysur një grua nga e drejta për të sunduar.

Pse sfidohej e drejta e saj për fronin?

Megjithëse Matilda kishte mbështetjen e qartë të të atit dhe prejardhje të pakontestueshme, shumë fisnikë ishin skeptikë.

Gjatë jetës së Henrit I askush nuk guxonte t’i shprehte hapur kundërshtitë, sepse ai konsiderohej i tmerrshëm në autoritetin e tij. Por sapo vdiq mbreti, kundërshtitë shpërthyen.

Disa e quanin Matildën “shumë të huaj” për popullin anglez; të tjerë shqetësoheshin se Geoffrey i Anzhusë mund të rrëmbente pushtetin për vete.

Thelbi i rezistencës, megjithatë, ishte se Matilda ishte grua. Siç shprehet Hanley: “Po të kishte Henri I një djalë të rritur, inteligjent dhe të përgatitur, a do ta vinte kush në dyshim trashëgiminë?”

Për më tepër, në çastin kritik pas vdekjes së Henrit I, Matilda ishte shtatzënë dhe nuk mbërriti dot në Angli në kohë për t’u kurorëzuar.

Kushëriri i saj, Stiven i Bloitit, përfitoi nga mungesa e saj dhe e uzurpoi fronin, edhe pse më parë i ishte betuar për besnikëri.

Pas kësaj tradhtie nisën 15 vite lufte civile, të njohura si Anarkia, të cilat pothuajse shkatërruan Anglinë.

Matilda e nisi luftën me disavantazh, pasi Stiven kishte përvojë ushtarake të madhe. Por ajo fitoi një aleat të çmuar: vëllanë e saj gjysmëlegjitim, Robertin e Gloucester-it, i cili i solli fuqi ushtarake dhe mbështetje territoriale.

Roberti komandoi ushtritë, ndërsa Matilda u përqendrua te administrimi i luftës, diplomacia dhe ndërtimi i rrjeteve politike. Historiania Gabrielle Storey thekson se Matilda solli me vete përvojë si ndërmjetëse dhe politikane.

Megjithatë, fisnikët shpesh i kthyen shpinën. Matilda luftoi gjithashtu ndaj perceptimeve misogjiniste: kronikat e kohës e përshkruanin si “mendjemadhe”, një cilësi që shoqëria patriarkale e shekullit XII e konsideronte të papranueshme për një grua.

Një moment vendimtar erdhi në vitin 1141 në Betejën e Linkolnit, kur Matilda fitoi dhe Stiven u kap rob.

Ajo mori titullin “Zonja e Anglezëve” dhe u përgatit për kurorëzim. Por gabimi i saj fatal sapo do të ndodhte: ajo e shkëmbeu Stivenin për lirimin e Robertit të Gloucester-it kur ky i fundit u zu rob.

Një sundimtare më e pamëshirshme mund ta kishte mbajtur Stivenin të burgosur ose ta kishte ekzekutuar, duke i prerë rrugën drejt fronit.

Pasi u lirua, Stiveni rimori armët menjëherë. Londinezët kundërshtuan ardhjen e Matildës për kurorëzim dhe ajo u detyrua të tërhiqej. Sipas Storey-it, “mungesa e pamëshirshmërisë” së Matildës e zgjati luftën edhe për një dekadë.

Në ato vite Matilda u kap dy herë rob, por arratisjet e saj u bënë legjendare.

Në rrethimin e Oksfordit, ajo doli nga kulla natën dhe kaloi lumin e ngrirë e mbuluar me një mantel të bardhë për t’u kamufluar me dëborën.

Në një tjetër episod, thuhet se u fsheh e maskuar si trup i vdekur në një karrocë funerale.

Fundi i luftës dhe trashëgimia e Matildës

Derisa erdhi viti 1153, të dyja palët ishin rraskapitur. Roberti i Gloucester-it kishte vdekur, dhe në vend të tij luftën e vazhdoi djali i Matildës, Henri Plantagenet.

Stiveni nuk po arrinte ta shtypte kurrë përfundimisht pushtetin e Matildës në jugperëndim dhe fisnikët e pakënaqur nisën të lëkundeshin në mbështetjen e tyre.

Në fund, në Traktatin e Westminsterit (1153), Stiveni dhe Matilda ranë dakord për një paqe të përkohshme: Stiveni do të mbetej mbret, por duhej ta shpallte Henrin trashëgimtar.

Një vit më vonë Stiven vdiq dhe Henri II u ngjit në fron, posti që dikur i kishte takuar Matildës.

Po të ishte kurorëzuar vetë Matilda, historia e Anglisë, dhe e grave të fuqishme në Europën mesjetare, mund të kishte marrë një drejtim krejt tjetër.

Një grua nuk do të sundonte Anglinë në të drejtën e saj deri në vitin 1553, me Mary Tudorin, gati 400 vjet pas Matildës.

Matilda jetoi pjesën e mbetur të jetës në Normandi, duke përdorur ende titujt “Perandoresha” dhe “Zonja e Anglezëve”. Ajo vdiq nga shkaqe natyrore në vitin 1167, në moshën 65-vjeçare.

Në epitafin e saj shkruhej: “E madhe nga lindja, më e madhe nga martesa, më e madhja në pasardhësit e saj: këtu prehet Matilda, vajza, gruaja dhe nëna e Henrit.”

EMISIONET