Kryeministri hungarez Orban: Gardhet mbrojnë Evropën
Kryeministri hungarez Viktor Orban bëri thirrje sot për financim nga Bashkimi Evropian për ndërtimin e gardheve kufitare, duke ringjallur një ide të konsideruar prej kohësh të papranueshme, përpara një samiti të liderëve të bllokut evropian për trajtimin e imigracionit të parregullt.
Samiti prej 27 anëtarësh u mblodh pasi Austria dhe Holanda kryesuan protesta të përshkallëzuara për numrin në rritje të të ardhurve.
-
-
Gjithçka duhet të dini nëse po këkoni një punë të re
7 Shkurt, 19:51
Agjencia kufitare e BE-së raportoi 330,000 kalime të parregullta vitin e kaluar, numri më i lartë që nga viti 2016.
Ndarjet e thella midis 27 vendeve të BE-së mbi menaxhimin e migracionit mbeten që nga kriza e refugjatëve të viteve 2015-2016.
Vende si Polonia, Hungaria dhe Sllovenia kanë ngritur gardhe kufitare për të mbajtur larg refugjatët dhe emigrantët, megjithëse Komisioni Evropian, i cili menaxhon buxhetin e përbashkët të bllokut, deri më tani ka refuzuar të paguajë për gardhe të tilla, duke thënë se kjo është në kundërshtim me vlerat liberale demokratike dhe të drejtat e njeriut.
Në një telefonatë me homologët e tij nga Polonia, Belgjika, Finlanda, Malta dhe Bullgaria, Orban bëri thirrje për financim të BE-së për projekte të tilla, duke thënë se "gardhet mbrojnë të gjithë Evropën", sipas kreut të shërbimit të tij për shtyp, njoftoi agjencia shtetërore hungareze e lajmeve MTI.
Shefja e Komisionit Ursula von der Leyen ka refuzuar më parë të financojë "gardhe me tela ose mure" megjithëse Komisioni Evropian po ofron para për infrastrukturën kufitare siç janë pajisjet e mbikëqyrjes.
Shefja e Komisionit Ursula von der Leyen ka refuzuar më parë të financojë "gardhe me tela ose mure" megjithëse Komisioni Evropian po ofron para për infrastrukturën kufitare siç janë pajisjet e mbikëqyrjes.
BE thotë se sirianët, afganët dhe tunizianët përbëjnë shumicën e atyre që mbërritën në BE vitin e kaluar dhe se vetëm rreth një e treta e këtyre njerëzve do të marrin azil, ndërsa pjesa tjetër do të duhet të largohet.
Më herët sot, në një letër të përbashkët, tetë vende të Bashkimit Evropian, përfshirë Greqinë, kërkuan reformimin e sistemit të azilit dhe forcimin e mbrojtjes së kufijve, ndërsa bën thirrje për shmangien e një "krize të re të madhe migracioni".
"Sistemi aktual i azilit ka të meta" dhe është "koha për një përgjigje inovative", shkruajnë Austria, Danimarka, Greqia, Estonia, Letonia, Lituania, Malta dhe Sllovakia.
Vendet që nënshkruan letrën shprehën shpresën se do të ketë "përparim të prekshëm" të enjten dhe të premten me rastin e samitit të BE-së në Bruksel.
Të ballafaquar me një rritje të ardhjeve të parregullta, tetë vendet duan "të forcojnë mbrojtjen e kufijve të jashtëm", kryesisht përmes "zhvillimit të infrastrukturës".
Vendet nënshkruese të letrës shprehin gjithashtu dëshirën për të "rritur numrin e kthimeve të shpejta", "të zhvillojnë partneritete të reja me vendet e origjinës së migrantëve" dhe "të rrisin komunikimin" për të dekurajuar migrantët e mundshëm.
Në fund të janarit, Komisionerja Evropiane për Çështjet e Brendshme Ylva Johansson tha se ishte e bindur se reforma e azilit, e cila është në diskutim që nga shtatori 2020, do të miratohet përpara zgjedhjeve evropiane të 2024-ës.
Por ndarjet e thella midis 27 vendeve të BE-së mbi menaxhimin e migracionit dhe refugjatëve nënkuptojnë se dakordësia për një sistem të ri, gjithëpërfshirës të imigracionit dhe azilit deri në zgjedhjet e ardhshme evropiane në 2024, është një detyrë e vështirë.
Grupet e të drejtave të njeriut kritikojnë qasjen gjithnjë e më kufizuese të BE-së ndaj imigracionit si të paligjshme dhe çnjerëzore.