Kapet në Itali çifti shqiptar me 5 milionë euro kokainë, kishin edhe pasaporta suedeze
Një çift shqiptar që udhëtonte me një automjet me targa suedeze është kapur në Itali me 26 kg kokainë, e me vlerë tregu 5 milionë euro.
Autoritetet e Guardia di Finanza italiane e Foggias kanë sekuestruar 26 kg kokainë e kanë vënë në pranga një çift shqiptarë me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.
Sipas Financës italiane kokaina e kapur e dozuar dhe e shitur në treg do t'i sillte për trafikantët një fitim prej rreth 5 milionë euro.
Kapja e drogës qe e rastësishme pas një kontrolli që patrulla e Financës Italiane kreu në stacionin hekurudhor të San Severino.
Në vëmendjen e forcave policore u vu një automjet me targa suedeze parkuar para stacionit. Lëvizjet e dyshimta të çiftit çuan në ekzekutimin e kontrollit të autoveturës.
Në dy sediljet e para të shoferit e të pasagjerit u gjetën dy vende të fshehta të manovruara me një sistem hidraulik ku ishin futur pakot me 26 kg kokainë.
Çifti shqiptar ka pasaporta suedeze e është shoqëruar në burgun e Foggias në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.

