Italia shtrëngon masat anti-Covid/ Nga sot gjysma e vendit kthehet në zonë të verdhë me rrezik infektimi

Italia shtrëngon masat anti-Covid/ Nga sot gjysma e vendit kthehet në

Italia nis vitin 2022 me një nivel të lartë të infektuarish me Covid, pasi në 24 orët e fundit rastet pozitive kanë kapërcyer mbi 21% të tamponëve të kryer.

Aktualisht janë 1 milionë e 70 mijë banorë pozitivë, ndërsa  varianti Omicron po përhapet me shpejtësi duke detyruar autoritete të ndërmarrin rregulla të reja më shtrënguese anti-pandemike.

Tre treguesit kyç të kurbës pandemike, koeficienti i infektimit për dendësi banorësh, numri i pacientëve të shtruar në repartet Covid, e të infektuar në rritje që kërkojnë kurim në terapi intensive, kanë bërë që Komiteti tekniko- shkencor i emergjencës së pandemisë në Itali të vendos kalimin në zonë të verdhë për gati gjysmën e territorit italian.

Janë 10 rajone nga 21 që ka Italia, të cilat prej datës 3 janar 2022 kalojnë në regjim masash më shtrënguese me riskun se disa prej tyre pritet të kalojnë gjatë ditëve të ardhshme në zona të portokallta me një rrezik infekimit preokupues për popullsinë.

Për 10 rajone italiane, Lombardia, Piemonte, Lazio, Sicilia, Calabria, Friuli Venezia-Giulia, Liguria, Marche, Veneto e provincat autonome të Bolzano e Trento  sot rikthehen maskat e detyrueshme në ambiente të hapura, pavarësisht se qeveria Draghi e kishte vendosur këtë rregull përgjatë festave të fundvitit, e ndalimi i hyrjes në lokale e restorante, të personave jo të vaksinuar, pra no Vax.

Për këtë kategori të popullsisë, qeveria Draghi po vlerëson masën e detyrimit të Green Pass-it ( të vaksinuar ose që kanë kaluar Covid në 6 muajt e fundit) dhe në sistemin e punës.

Në nivel kombëtar Italia ka aktualisht mbi 1 milionë banorë pozitivë të infektuar e varianti Omicorn po përhapet me shpejtësi.

Sipas të dhënave të autoriteteve mjekësore italiane janë  5.5 milionë italianë mbi moshën 12 vjecë ende të pavaksinuar e për të mos paralizuar aktivitetin prodhues, qeveria italiane po vlerëson detyrimin e Super Green Pass-it për të gjithë punonjësit, vendim i cili pritet të votohet gjatë mbledhjes së qeverisë më datë 5 janar,

Prej datës 6 janar në Itali kapaciteti maksimal i publikut në stadiumet e impiante sportive të hapura do të jenë 50% e në ato të mbyllura 30%.

Më datë 7 janar do të rinis sistemi shkollor me masa më të forta, me detyrimin e maskës Ffp2 për mësuesit e ciklit të ulët e detyrimin e autokarantinimit 10 ditor e mësimit online për nxënësit e pavaksinuar në rastet e identifikimit të  rasteve pozitive në një klasë.

Prej datës 10 janar do të jetë pothuajse një lockdown për jo të vaksinuarit të cilët do të mund të hyjnë vetëm në dyqane e shërbimet e domosdoshme si farmaci, etj. Në restorante, në mjetet e transportit publik, në hotele, në panaire, evente sportive etj, do të jetë i detyruar prezantimi i Super Green Pass.

Po prej 10 janarit, doza shtesë e vaksinës do të mund të bëhet  të paktën katër muaj pas dozës së fundit, ndërsa prej 1 shkurtit Super Green Pass-i do të ketë kohëzgjatje 6 muaj.

E më 31 mars 2022 në Itali merr fund gjendja e emergjencës së jashtëzakonshme pandemike.

A do të jetë vërtetë kështu? O qeveria Draghi do të kërkoj përsëri shtyrjen e saj?

EMISIONET