Fitimi i “Telebingo Shqiptare” në 3 vite arriti në 1.2 miliard lekë, i la shtetit pa paguar 935 milion lekë

Kompania “Telebingo” e biznesmenit Alban Dabulla, ka arkëtuar brenda një periudhe 3 vjeçare një fitim prej 1 miliard e 200 milion lekë të vjetra, por çuditërisht ka refuzuar të paguajë detyrimet tatimore në buxhetin e shtetit.

“Ora News”, mëson se “Telebingo Shqiptare” këtë fitim e ka krijuar gjatë viteve 2014 deri në 2017, ndërsa ka shmangur në mënyrë të vazhdueshme pagesat në shumën prej 935 milion lekë.

Kjo shifër del në përllogaritjet e bëra deri në datën 20 shtator 2019, ndërsa në vijim kjo shifër ka vijuar të rritet.

Nga verifikimet e deklaratave financiare të tatimit në burim pranë organeve tatimore nga viti 2015-2017, rezulton se subjekti nuk ka llogaritur dhe paguar tatimin në burim për lojtarët fitues të çmimeve të biletave fituese të bingos së madhe.

Gjithashtu sipas dokumentacionit të ardhur në prokurori nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, rezulton se shoqëria “Telebingo”, ka kaluar një kontroll tatimor në periudhen janar 2019 dhe nga shqyrtimi i raportit final të kontrollit, është evidentuar se nuk ka gjetje nga ana e inspektorëve të kontrollit për sa i përket deklarimit të tatimit në burim të lojtarëve fitues.

Madje në raport kontroll është shprehur në çdo vit se shoqëria, ka llogaritur tatim burimin për fitimin e lojtarëve, gjë që nuk rezulton nisur nga deklarimet e bëra në organin tatimor.

 Hetimi ij prokurorisë së Tiranës, ka zbuluar se shoqëria ka deklaruar në librin e shitjes vetëm të ardhura bruto nga loja, gjë që është evidentuar edhe nga Agjencia e Monitorimit të Lojrave të Fatit, me anë të disa shkresave.

Në të citohet se shoqëria nuk e ka implemntuar sistemin SQMO dhe është e detyruar nga ligji të vazhdojë të deklarojë dhe paguaj detyrimet tatimore.

Gjithashtu shoqëria nuk ka deklaruar saktë në librin e shitjes, qarkullimin e saj të plotë, por ka deklaruar vetëm të ardhurën bruto nga shitja e biletave (arketime – fitues).

Kjo pasi nisur nga shorte të ndryshme të paraqitura në video nga vetë kompania “Telebingo”, në muaj te caktuar rezulton se fituesit janë më shumë se deklarimet e bëra në organin tatimor.

Për më tepër shoqëria nuk deklaron saktë as detyrimin për tatim për lojrat e fatit 10 për qind mbi vëllimin e qarkullimit të realizuar në bazë të arkëtimeve nga shitja e biletave. Hetimi për Alban Dabullën, ka nisur prej vitit 2019, kur drejtoria e Hetimit Tatimor, referoi në prokurorinë e Tiranës një material, voluminoz për kompaninë “Telebingo”.

Tashmë prokuroria është në fazën e mbylljes së dosjes dhe komunikimit të 4 akuzave ndaj Alban Dabullës dhe 19 personave të tjerë që janë përfshirë në këtë skemë të mospagimin e taksave duke shpërdoruar detyrën. Ndërsa në 22 Dhjetor 2021, prokuroria kërkoi arrestimin e Dabullës, së bashku me disa zyrtarë të tjerë të Tatimeve dhe Agjensisë së Monitorimit të Lojrave të Fatit. Por kërkesa e prokurorisë, nuk u pranua nga gjykatësja Oltjona Goxha.

EMISIONET