ISIS-K në Afganistan mund ta sulmojë Amerikën brenda 6 muajsh

Organizata terroriste ISIS-K në Afganistan ka marrë vëmendje të shtuar nga autoritetet ndërkombëtare të anti-terrorit.
Në analizën përpara komitetit të senatit amerikan, nënsekretari i Pentagonit Colin Kahl tha se inteligjenca amerikane vlerëson se ISIS-Kdhe Al Kaeda duan të "kryejnë operacione jashtë vendit, përfshirë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës".
Shteti Islamik që vepron jashtë Afganistanit mund të ketë aftësinë për të sulmuar Shtetet e Bashkuara brenda gjashtë muajve, tha zyrtari i lartë i Pentagonit përpara Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit.
Që kur talibanët morën pushtetin në Afganistan, në gusht, ISIS-K ka kryer disa sulme vetëvrasëse në vend, duke synuar kryesisht pakicën shiite. ISIS-K është degë rajonale e grupit terrorist të Shtetit Islamik.
Është më ekstremi dhe më i dhunshmi nga të gjitha grupet militante xhihadiste në Afganistan. Ai u krijua në janar të vitit 2015, në kulmin e fuqisë së ISIS-it në Irak dhe Siri, përpara se kalifati i tij i vetëshpallur të mposhtej dhe të shpërbëhej nga një koalicion i udhëhequr nga SHBA.
Grupi terrorist rekruton si xhihadistët afganë ashtu edhe pakistanezë, veçanërisht anëtarët e larguar të talibanëve afganë, të cilët nuk e shohin organizatën e tyre si mjaftueshëm ekstreme në zbatim të ideve të tyre.
Ndryshe nga talibanët, interesat e të cilëve kufizohen në Afganistan, ISIS-K janë pjesë e rrjetit global të Shtetit Islamik që kërkon të kryejë sulme ndaj objektivave perëndimore, ndërkombëtare dhe humanitare kudo që kanë mundësi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatë të tjerë perëndimor synojnë ta pengojnë zhvillimin dhe planet e ISIS-K dhe Al Kaedës, në mënyrë që të mos jenë në gjendje të sulmojnë, tha Kahl për senatorët. Dhe një mënyrë sipas zyrtarit të lartë të Pentagonit janë goditjet e përqendruara me dronë./Ora News/




