Sulmi në Teksas, adoleshenti vret 19 fëmijë dhe 2 mësues

Nga sulmi me armë mbrëmjen e djeshme në një shkollë fillore në qytetin Uvalde në shtetin e Teksasit, bilanci i të vdekurve vazhdon të rritet.
Deri tani raportohet të kenë humbur jetën 19 fëmijë të vegjël të moshës nga 7- 11 vjeç dhe 2 mësues.
Mësohet se disa fëmijë të tjerë kanë ngelur të plagosur.

Autoritetet e policisë vendase kanë ekzekutuar 18-vjeçarin në vendin e ngjarjes, duke lënë mister edhe shkaqet e ngjarjes.
Guvernatori i shtetit të Teksasit, republikani Greg Abbot e quajti sulmin të tmerrshëm dhe të pakuptimtë.
Në vazhdën e misterit, policia e Uvaldes ka thënë se agresori kishte qëlluar me armën e krimit gjyshen e tij përpara se të shkaktonte tragjedinë.

Presidenti Biden lidhur me ngjarjen shprehu trishtimin si edhe bëri thirrje për rishikim të ligjit të armëve.
"Të humbësh një fëmijë është si të të këputet një pjesë e shpirtit. I kërkoj Amerikës të lutet për të gjithë prindërit e të vdekurve. Jam i sëmurë dhe i lodhur prej lobit të armëve, duhet të kontrollohet ligji i armëve dhe duhet zëvendësuar me ligje të arsyes së shëndoshë," tha Biden.
Në javët e fundit, sulmet masive me armë zjarri kanë qenë të shpeshta, duke lënë dhjetëra viktima për çdo rast agresioni.

