Gjermania, thirrje SHBA-së dhe Venezuelës të ulin tensionet

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul bëri thirrje për ulje të përshkallëzimit të krizës midis SHBA-së dhe Venezuelës.
“Ne besojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Venezuela duhet ta zgjidhin çështjen në mënyrë bilaterale”, tha ai në takimin e ministrave të Jashtëm të G7 në Niagara-on-the-Lake, në Kanadanë juglindore.
“Jemi të bindur se kjo do të ketë sukses, pasi askush nuk ka interes që të lindin kriza të mëtejshme”, shtoi Wadephul.
“Megjithatë, tani duhet të jetë e qartë se Venezuela duhet të tregojë vetëpërmbajtje”, theksoi ai
Qeveria venezueliane ka thirrur pothuajse 200 000 trupa për një manovër dyditore në përgjigje të pranisë në rritje ushtarake amerikane në Karaibe.
Sfondi i këtij vendimi është vendosja masive e forcave të armatosura amerikane, të cilën qeveria e presidentit amerikan, Donald Trump e justifikon si pjesë të luftës kundër kontrabandës së lëndëve narkotike nga Amerika Latine në SHBA.
SHBA-ja ka sulmuar vazhdimisht anije që dyshohet se kanë qënë të ngarkuara me lëndë narkotike në Karaibe dhe gjetkë, duke shkaktuar vdekjen e dhjetëra njerëzve gjatë këtij procesi.
Kohët e fundit, aeroplanmbajtësja më e madhe në botë mbërriti gjithashtu në zonën e operacioneve të Komandës Jugore të SHBA-së.
Ajo shtrihet përgjatë Karaibeve dhe gjithashtu përgjatë ujërave që kufizojnë Amerikën Qendrore dhe Jugore.


