Një tualet prej ari dhe një dollap plot euro/ Skandali që mund të rrëzojë Zelensky-n

Një tualet prej ari dhe një dollap plot euro/ Skandali që mund

Një tualet prej ari të kulluar dhe dollapë të mbushur me qese plot me kartëmonedha prej 200 eurosh janë ndër thesaret e lidhura me biznesmenin e njohur ukrainas, Timur Mindich, pas një hetimi nga Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU).

Mindich është një figurë e madhe në sektorin e pasurive të paluajtshme, të plehrave kimike, bankave dhe tregtisë së diamanteve – por ai njihet më së shumti si bashkëpronar prej kohësh i kompanisë televizive Kvartal 95 të Volodymyr Zelensky-t.

Hetimi 15-mujor i NABU-së, i cili e përshkruan rastin si korrupsion në “nivel të lartë” në majat e elitës politike të Ukrainës, pritet të ketë pasoja të mëdha për të ardhmen politike të Zelensky-t.

Sipas një videoje në YouTube, të publikuar nga NABU, hetimi i tyre është përqendruar në dyshimet për “ryshfete” të marra nga kontraktorët e punësuar për ndërtimin e fortifikimeve që do të mbronin infrastrukturën energjetike nga raketat dhe dronët rusë.

Sipas akuzave të NABU-së, skema e korrupsionit me vlerë 100 milionë dollarë përfshinte ndërmarrje publike të mëdha, përfshirë edhe kompaninë shtetërore të energjisë bërthamore të Ukrainës, Energoatom.

Përveç Mindich, ndër të dyshuarit është edhe ish-ministri i energjisë dhe drejtësisë, Herman Halushchenko.

Halushchenko është pezulluar nga detyra si ministër drejtësie, por ka deklaruar se do të “mbrojë veten në rrugë ligjore dhe do të provojë qëndrimin e tij”.

Janë kryer shtatëdhjetë kontrolle, dhe priten akuza serioze – megjithatë Mindich dhe disa nga të dyshuarit kryesorë u larguan nga Ukraina vetëm disa orë përpara bastisjeve.

Vetë Zelensky ka shprehur publikisht mbështetjen për goditjen ndaj korrupsionit, duke i thënë kombit në fjalimin e tij të mbrëmjes se “duhet të ketë dënime”, dhe duke u kërkuar zyrtarëve të qeverisë që “të bashkëpunojnë me NABU dhe me agjencitë ligjzbatuese”.

Por Zelensky-t do t’i duhet patjetër të përballet me pyetje serioze, teksa aleatët e tij më të afërt në politikë dhe biznes po bien nën dyshim.

Po ashtu, është tepër i dyshimtë fakti që vetëm katër muaj më parë Zelensky u përpoq ta vendoste NABU-në dhe agjencinë simotër të saj, SAPO, nën kontroll të drejtpërdrejtë qeveritar, duke kërkuar me nxitim miratimin e një ligji të hartuar me shpejtësi për t’u hequr këtyre institucioneve pavarësinë operacionale.

Lëvizja e Zelensky-t tronditi aleatët ndërkombëtarë të Ukrainës dhe shkaktoi protesta të mëdha në qendër të Kievit – të parat kundër qeverisë që nga fillimi i luftës.

Nën presion të fortë nga Brukseli e Uashingtoni, si dhe nga protesta në Kiev, Zelensky më në fund u tërhoq. Hetimet e ndërprera të NABU dhe SAPO vijuan – dhe kulmuan me bastisjet e kësaj jave që kanë shkaktuar dëme politike të konsiderueshme.

Duket se një luftë e hapur po përgatitet të shpërthejë mes agjencive të pavarura kundër korrupsionit dhe rrethit të ngushtë të Zelensky-t – dhe pasojat pritet të jenë të shëmtuara.

Shërbimi Kombëtar i Sigurisë i Ukrainës, i njohur si SBU, i qëndron besnik Zelensky-t dhe ka pushtet të madh të brendshëm përmes kontrollit që ushtron mbi sistemin gjyqësor dhe burgjet.

Nga ana tjetër, NABU dhe SAPO mbështeten fuqimisht politikisht dhe financiarisht nga qeveritë evropiane dhe ajo amerikane, si dhe ndihmohen operacionalisht nga agjencitë perëndimore të sigurisë.

Kjo lidhje mes pavarësisë formale dhe ndikimit të drejtpërdrejtë perëndimor ka bërë që disa politikanë ukrainas ta akuzojnë NABU-në si një “vegël të dominimit të huaj”.

Ish-kryeministrja Yulia Tymoshenko, në gusht, pasi mbështeti përpjekjet për t’i hequr NABU-së pavarësinë, u ankua se “Ukraina po shndërrohet në një koloni të përjashtuar nga sovraniteti, që po humbet pavarësinë e saj”.

Deri tani, përmbajtja e plotë e hetimit të NABU-së mbetet zyrtarisht konfidenciale. Por një sërë raportesh të fundit – përfshirë ato të ‘New York Times’ – sugjerojnë se korrupsioni është i thellë dhe i përhapur, dhe përfshin shumë figura të lidhura me Zelensky-n dhe kompaninë e tij Kvartal 95.

Janë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si kompania Fire Point, një agjenci rekrutimi për filmat e Zelensky-t para luftës, ka arritur të sigurojë kontrata qeveritare me vlerë miliona dollarë për prodhimin e dronëve për ushtrinë ukrainase.

Fire Point – e cila nuk është akuzuar për ndonjë shkelje – po ashtu prodhon një raketë të re lundrimi me rreze të gjatë, të quajtur Flamingo.

Gjatë kërkimeve të tyre, hetuesit e NABU-së zbuluan mbi 1,000 orë incizime audio që Mindich dyshohet se i kishte bërë bisedave me partnerët e tij të biznesit.

Një video e shkurtër promovuese, e publikuar nga NABU në rrjete sociale, përfshinte disa fragmente nga biseda të ndryshme mes dy burrash të identifikuar me pseudonime, që flasin në rusisht.

Këto regjistrime nuk kanë shumë kuptim për publikun e gjerë – por publikimi i tyre duket si një sinjal paralajmërues, i drejtuar ndaj një audience shumë specifike në majat e elitës politike të Ukrainës.

Një mësim i hidhur që del nga kjo histori e turbullt është se, në shumë mënyra, Ukraina vazhdon të funksionojë sipas të njëjtave rregulla që mbretëronin në vitet e egra ’90, nën Leonid Kuchma-n apo në Rusinë e Boris Yeltsin-it.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, u bë praktikë e zakonshme që biznesmenët e pasur të blinin ndikim mbi pjesë të forcave të sigurisë, t’i përdornin ato për të regjistruar biseda private të politikanëve apo rivalëve të biznesit, dhe t’i shfrytëzonin më pas ato si “kompromat” – armë politike.

Kësaj here, lojtarët janë të tjerë: NABU, e mbështetur nga Perëndimi, po përballet me SBU-në, e mbështetur nga Zelensky – por përzierja e korrupsionit me politikën e nivelit të lartë duket, fatkeqësisht, si një rikthim në të kaluarën.

Reagimi tipik i mbështetësve besnikë të Zelensky-t do të jetë ta shpallin këtë histori si propagandë të Kremlinit.

Në fakt, justifikimi që Zelensky dha në korrik për përpjekjen për ta vendosur NABU-në nën kontrollin e tij ishte pikërisht dyshimi – asnjëherë i provuar – për depërtim rus në agjenci.

Por me Perëndimin që po e ndjek nga afër situatën, Zelensky ka pak zgjedhje tjetër përveçse të mbështesë veprimet e NABU-së kundër aleatëve dhe partnerëve të tij më të afërt, dhe të përballet me pasojat për reputacionin dhe karrierën e tij politike.

Imazhi i një tualeti prej ari, i zbuluar dikur në vilën luksoze të ish-presidentit Viktor Yanukovych, u bë një simbol ikonik i korrupsionit që çoi në protestat madhore të Maidanit në vitin 2014.

Ironia më e madhe është se revolucioni kundër “pronareve të tualeteve të arta” përfundimisht çoi në një luftë të plotë me Rusinë – fitimet e së cilës, duket, janë përdorur për të blerë edhe më shumë tualete të arta.

EMISIONET