GHF mbyllet mes akuzave dhe polemikave/ OKB: Qindra palestinezë u vr*në pranë pikave të ndarjes së ushqimit të GHF

Gaza Humanitarian Foundation, projekti i shumëdebatuar i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, ka njoftuar mbylljen e operacioneve të tij në Gaza pas gati gjashtë muajsh. Organizata u kritikua ashpër nga OKB-ja dhe grupet humanitare për mënyrën e shpërndarjes së ndihmave dhe sigurinë e pikave ku mijëra palestinezë kërkonin ushqim.

GHF mbyllet mes akuzave dhe polemikave/ OKB: Qindra palestinezë u

Organizata Gaza Humanitarian Foundation , e financuar dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, ka njoftuar zyrtarisht se po i jep fund operacioneve të saj në Rripin e Gazës, pas afro gjashtë muajsh aktivitet.

GHF, e cila kishte pezulluar tashmë tre qendrat e shpërndarjes së ushqimit pas hyrjes në fuqi të armëpushimit gjashtë javë më parë, u krijua me qëllimin për të shpërndarë ndihma jashtë sistemit të OKB-së. Por misioni i saj u bë një nga temat më të debatueshme të krizës humanitare në territorin palestinez.

SHBA dhe Izraeli e paraqitën GHF-në si një mekanizëm alternativ që do të shmangte, sipas tyre, “grabitjen e ndihmave nga Hamas”. Por OKB-ja, organizatat ndërkombëtare dhe shumë agjenci humanitare refuzuan të bashkëpunonin me të, duke argumentuar se modeli ishte joetik, i militarizuar dhe i rrezikshëm për civilët.

Sipas zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut, të paktën 859 palestinezë u vranë ndërsa kërkonin ushqim pranë pikave të shpërndarjes së këtij fondacioni midis 26 majit dhe 31 korrikut.

Të shtënat brenda zonave të shpërndarjes janë pranau edhe nga fondacioni por akuzon OKB-në për përdorimin e “statistikave të rreme” nga ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamas.

Ndërkohë, organizata thotë se ka shpërndarë 3 milionë paketa ushqimore, të barasvlershme me mbi 187 milionë vakte, dhe cilëson misionin e saj të përfunduar “me sukses”.

Hamas, i cili mohon të ketë përvetësuar ndihma, e përshëndeti mbylljen e GHF-së dhe kërkoi që organizata të hetohet për “dëmet e shkaktuara”, duke e akuzuar se ka mbuluar politikën e “urisë” të qeverisë izraelite.

SHBA-ja e mbështeti krijimin e GHF-së pasi Izraeli zbuti pjesërisht bllokadën 11-javore të ndihmave dhe mallrave në maj, e cila çoi në mungesa ekstreme dhe shpalljen e urisë në qytetin e Gazës në verë.

Qendrat e shpërndarjes së GHF-së ndodheshin brenda zonave ushtarake izraelite dhe ruheshin nga kompani private të sigurisë amerikane — një model që OKB-ja e cilësoi si shkelje të parimeve të neutralitetit dhe pavarësisë humanitare.

EMISIONET