FËMIJËT DREJT BE/ Shqipëria e treta në Evropë për leje qëndrimi
Shqipëria renditet e treta në Europë për numrin e të miturve që marrin leje të para qëndrimi në BE. Gati 19 mijë fëmijë shqiptarë përfituan gjatë vitit 2024, mbi 44% vetëm në Itali. Bashkimi familjar mbetet arsye dominonte, duke pasuar valët historike të emigracionit.
Shqipëria vazhdon të dërgojë mijëra të mitur drejt Bashkimit Europian. Gjatë vitit 2024, 18,697 fëmijë nën moshën 18 vjeç morën leje të para qëndrimi në vendet e BE-së, sipas Eurostat.
Kjo e rendit Shqipërinë të tretën në Europë pas Ukrainës dhe Bjellorusisë. Migracioni i të miturve shqiptarë është i përqendruar thuajse tërësisht në tre shtete.
Në krye është Italia, me mbi 8,200 leje – rreth 44% e totalit. Pas saj vjen Greqia me 4,877 raste dhe Gjermania me 4,165. Ndërsa të gjitha vendet e tjera të BE-së së bashku lëshuan vetëm 1,400 leje për fëmijë shqiptarë.
Arsyeja kryesore është bashkimi familjar. Komunitetet e mëdha shqiptare të vendosura që nga vitet ’90 vazhdojnë të tërheqin familje të reja, ndërsa Gjermania është shndërruar vitet e fundit në destinacion të rëndësishëm për punë dhe vendosje me familje.
Në rang europian, vendet e BE-së dhanë mbi 540 mijë leje qëndrimi për të mitur jo-europianë vetëm në vitin 2024. Dy të tretat e tyre – 66% – u dhanë për arsye familjare. Gjermania, Spanja dhe Italia janë tre vendet që lëshojnë më shumë leje për fëmijë.
Në raport me popullsinë, Malta, Qipro dhe Luksemburgu kryesojnë listën. Ndërsa Franca ka shifrën më të ulët, pasi administrata e saj nuk lëshon zakonisht leje qëndrimi për të mitur.
Migrimi i fëmijëve shqiptarë mbetet i lidhur me rrënjët e diasporës, por edhe me kërkimin e një jete më të sigurt dhe më të qëndrueshme në Bashkimin Europian.


