Frika nga sulmet ukrainase, Rusia ndërton mburojë raketore pranë qendrës së Moskës!

Frika nga sulmet ukrainase, Rusia ndërton mburojë raketore pranë

Moska po ndërton një kompleks të ri të mbrojtjes raketore pranë një instituti kërkimor të lidhur me vajzën e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, duke vazhduar përpjekjet për të forcuar mbrojtjen e kryeqytetit kundër sulmeve të mundshme raketore nga Ukraina.

Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë (REL) ka zbuluar se është ngritur një platformë prej betoni dhe janë vendosur sisteme të mbrojtjes ajrore, S-400, në tokën e selisë së Fondacionit “Innopraktika”, një projekt me vlerë 1.7 miliardë dollarë, i mbështetur nga qeveria dhe i drejtuar nga vajza më e vogël e Putinit, Katerina Tikhonova.

I vendosur në një zonë të lartë në qendër të qytetit, më pak se 10 kilometra nga Kremlini dhe rreth 300 metra nga një godinë e Universitetit Shtetëror të Moskës, ky kompleks i ri është të paktën objekti i pestë i këtij lloji në një unazë të re mbrojtëse brenda kryeqytetit rus.

Sipas imazheve satelitore të kantierit, forma dhe përmasat e tij përputhen plotësisht me instalime të tjera të ngjashme ushtarake në Moskë, të identifikuara në fillim të këtij muaji nga REL-i.

Ushtria ruse ka ndërtuar tashmë infrastrukturë të ngjashme mbrojtëse në Moskë duke përdorur sistemet raketore, Pantsir-S1, të cilat shërbejnë për mbrojtje kundër sulmeve me dronë nga Ukraina.

Megjithatë, komplekset e reja, S-400, të projektuara për të kapur dhe rrëzuar raketa, duket se synojnë luftimin e raketave balistike të Ukrainës.

Një nga prodhuesit më të mëdhenj ukrainas të pajisjeve të mbrojtjes, Fire Point, sot njoftoi se ka zhvilluar dy raketa balistike, të parat të prodhuara plotësisht në Ukrainën e pavarur.

Në muajt e fundit, ushtria ukrainase ka shtuar ndjeshëm sulmet me dronë me rreze të gjatë veprimi brenda Rusisë, duke shkaktuar mungesën më të madhe të karburantit në gjithë Rusinë, vitet e fundit.

Të paktën 17 rajone kanë vendosur kufizime të detyrueshme për shitjen e benzinës dhe naftës, ndërsa dhjetëra rajone të tjera kanë raportuar mungesa ose kufizime të vendosura nga kompanitë private të karburanteve.

EMISIONET