Dorëheqja e Spahn "trondit" qeverinë gjermane, Merz hap mundësinë e ndryshimeve në kabinet

Dorëheqja e Spahn "trondit" qeverinë gjermane, Merz hap

Dorëheqja e një prej figurave më të rëndësishme të CDU/CSU ka hapur mundësinë për ndryshime në qeverinë gjermane, ndërsa kancelari Friedrich Merz nuk e përjashton riformatimin e kabinetit federal.

Gjatë një interviste për transmetuesin gjerman ZDF, Merz u pyet nëse largimi i politikanit Jens Spahn mund të çojë në një rishikim të përbërjes së qeverisë.

“Mund të jetë një mundësi”, u përgjigj kancelari, duke lënë të kuptohet se situata aktuale mund të shërbejë për një riorganizim të strukturës qeverisëse.

Megjithatë, Merz nuk dha detaje për postet që mund të preken dhe as nëse ndryshimet do të jenë të kufizuara apo një riformatim i gjerë i kabinetit.

Debati nisi pas dorëheqjes së Jens Spahn nga posti i kryetarit të grupit parlamentar të CDU/CSU në Bundestag. Vendimi erdhi pas polemikave të krijuara rreth përdorimit të një nëne surrogate nga Spahn dhe partneri i tij për të krijuar familje.

Çështja mori vëmendje të madhe në Gjermani, pasi Spahn në të kaluarën kishte mbajtur një qëndrim kritik ndaj kësaj praktike, e cila aktualisht është e ndaluar në vend.

Spahn ka pranuar se vendimi i tij personal për të krijuar familje ka krijuar një konflikt me rolin e tij politik. Sipas tij, lumturia personale dhe përgjegjësia publike nuk mund të qëndrojnë më në të njëjtën pozitë.

Dorëheqja e tij vjen në një periudhë kur koalicioni qeverisës gjerman përballet me sfida politike dhe përpjekje për të ruajtur stabilitetin e brendshëm.

Vendimi për një ndryshim të mundshëm në kabinet pritet të varet nga zhvillimet e ardhshme dhe marrëveshjet mes forcave politike që përbëjnë qeverinë federale.

EMISIONET