SHBA godet centralin bërthamor në ndërtim në Iran, Teherani denoncon sulmin në Darkhovin

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë marrë një tjetër përmasë pas një sulmi të raportuar ndaj një centrali bërthamor në ndërtim në jugperëndim të Iranit.
Organizata e Energjisë Atomike e Iranit bëri të ditur se forcat amerikane kanë goditur më 19 korrik centralin bërthamor Darkhovin, në provincën Khuzestan, një objekt që ndodhet ende në fazën e ndërtimit.
Sipas njoftimit të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian, centrali është goditur me disa raketa. Autoritetet iraniane e kanë cilësuar sulmin si një veprim agresiv dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Objekti i Darkhovinit është një nga projektet bërthamore të Iranit dhe ndërtimi i tij nisi në vitin 2022 në pjesën jugperëndimore të vendit. Deri tani nuk janë bërë të ditura detaje mbi dëmet e shkaktuara nga sulmi apo nëse ka pasur viktima.
Sulmi vjen në një periudhë të tensionuar mes Uashingtonit dhe Teheranit, ku përplasjet ushtarake dhe kërcënimet reciproke kanë rritur shqetësimet për një zgjerim të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Deri në këto momente nuk ka pasur një reagim të detajuar nga autoritetet amerikane lidhur me pretendimet e Iranit për sulmin ndaj centralit Darkhovin.


