Donald Trump: BBC mashtroi publikun me redaktimin e fjalimit tim

Donald Trump: BBC mashtroi publikun me redaktimin e fjalimit tim

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se BBC mashtroi publikun dhe se ai ka një detyrim të ndërmarrë veprime ligjore për ndryshimin e një fjalimi të tij.

Drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie, dha të dielën dorëheqjen, mes një skandali lidhur me redaktimin e një fjalimi të presidentit Trump, para sulmit ndaj Capitol-it, më 6 janar 2021.

Trump përsëriti kërcënimin për të nisur një padi prej një miliard dollarësh gjatë një interviste në ”Fox News”, dje në mbrëmje.

”Mendoj se kam detyrimin ta bëj. Nuk mund t’i lejosh njerëzit të veprojnë kështu”, tha ai.

”Besoj se duhet ta bëj. Ata mashtruan publikun dhe e kanë pranuar këtë. Dhe kjo ndodh në një nga aleatët tanë më të mëdhenj, gjoja aleati ynë i madh”, u shpreh Trump.

”Është një ngjarje e trishtueshme. Ata në fakt e ndryshuan fjalimin tim të 6 janarit, i cili ishte një fjalim i bukur, i qetë, dhe e bënë të tingëllonte radikal. Më treguan rezultatin e mënyrës se si e kishin copëtuar. Ishte shumë e pandershme, dhe drejtori dha dorëheqjen, bashkë me shumë të tjerë”, shtoi Trump.

Një letër ligjore nga avokati i Trump, Alejandro Brito, kërkon që deklaratat e rreme, shpifëse dhe nxitëse ndaj tij të tërhiqen menjëherë.

Letra paralajmëron se nëse BBC nuk vepron, Trump nuk do të ketë zgjedhje tjetër veçse të ushtrojë të drejtat e tij ligjore, përfshirë ngritjen e një padie për jo më pak se një miliard dollarë si dëmshpërblim.

Zyra e kryeministrit britanik, Keir Starmer bëri të ditur se ai nuk ka folur me Trump për padinë e paralajmëruar.

EMISIONET