Djali 5-vjeçar përplas me biçikletë 87-vjeçaren, e moshuara vdes në spital dhe babai i të miturit tani akuzohet për vrasje

Prindi po e mësonte djalin e tij të ngiste biçikletën pa goma ndihmëse kur ndodhi aksidenti. Tashmë burri përveç dënimit penal rrezikon të paguajë edhe dëmshpërblim rreth 200 mijë euro.

Djali 5-vjeçar përplas me biçikletë 87-vjeçaren,

Në Milano, një djalë 5-vjeçar goditi aksidentalisht një grua 87-vjeçare teksa po mësonte të ngiste biçikletën në një kopsht publik.

E moshuara ka humbur ekuilibrin, është rrëzuar përtokë duke e goditur kokën dhe ka ndërruar jetë. Babai i fëmijës tani akuzohet për vrasje nga pakujdesia.

Sipas asaj që ai u tha hetuesve, prindi po e mësonte djalin e tij të ngasë biçikletën pa goma ndihmese.

Pak çaste pas nisjes së këtij “eksperimenti”, në trajektoren e vogëlushit përfunduan dy të moshuara që po ecnin, 87-vjeçarja dhe një mike e saj.

Djali humbi kontrollin e biçikletës dhe, ndonëse me shpejtësi mesatare, goditi zonjën.

Në atë kohë, pasojat e aksidentit nuk dukeshin të rënda dhe babai i djalit thuajse këmbënguli që të thirrej një ambulancë.

Më pas, situata u përkeqësua. Zonja humbi vetëdijen dhe vdiq në spital.

Një tragjedi për të dyja familjet e përfshira dhe që nuk mund të mbetet e “kataloguar” si një fatkeqësi aksidentale por duhet të kthehet edhe në një hetim penal.

Siç raportohet nga Corriere della Sera, ajo që ndodhi "me ligj, detyron prokurorinë e Milanos të vendosë përgjegjësinë penale mbi babain (për sjellje të pahijshme) në vdekjen e zonjës së moshuar" që u përplas aksidentalisht nga fëmija.

Prandaj, babai është nën hetim për vrasje nga pakujdesia në lidhje me nenin 40 të kodit ("mosparandalimi i një ngjarjeje, të cilën e ka detyrim ligjor ta parandalojë, është e barabartë me shkaktimin e saj").

Një tjetër rregull referues për këtë temë është neni 2047 i Kodit Civil: “Në rast dëmi të shkaktuar nga një person i paaftë për të kuptuar ose dashur (si në këtë rast fëmija 5 vjeç), kompensimi bëhet nga kushdo që i kërkohet të mbikëqyrë të paaftën (babai i fëmijës), përveç nëse provon se nuk ishte në gjendje ta parandalonte faktin”.

Babai i fëmijës ka një mundësi, një marrëveshje për pranimin e fajësisë, e cila do të rezultonte në uljen e një të tretës së dënimit dhe përfitimin e kushtit.

Megjithatë në procedurën civile, ai tashmë mund të vuajë një dënim shumë të rëndë dhe të detyrohet të paguajë dëmshpërblim që llogaritet në rreth 200 mijë euro.

itali

EMISIONET