Autoritetet e emëruara nga Moska shpallin emergjencë rajonale në Krime

Autoritetet e emëruara nga Moska shpallin emergjencë rajonale në

Autoritetet e instaluara nga Moska në Krime kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme rajonale, ndërsa gadishulli po përballet me pasojat e sulmeve ajrore gjithnjë e më të shpeshta nga Ukraina.

Guvernatori i emëruar nga Rusia, Sergey Aksyonov, njoftoi se masa është marrë për të mundësuar reagim më të shpejtë dhe për të garantuar funksionimin normal të sektorëve kryesorë.

Sipas tij, Krimea po kalon një periudhë të vështirë, me mungesa karburanti dhe ndërprerje të energjisë elektrike, të shkaktuara nga sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës në jug të Rusisë, prej nga furnizohet gadishulli.

“Nuk mund të them saktësisht sa kohë do të zgjasë kjo situatë dhe as të bëj publik planin e veprimit, por po marrim masa”, deklaroi Aksyonov.

Ai pranoi gjithashtu se as sistemet ruse të mbrojtjes ajrore nuk janë në gjendje të garantojnë mbrojtje të plotë. Nga ana tjetër, Ukraina i konsideron sulmet ndaj objektivave në Krime dhe infrastrukturës energjetike ruse si kundërpërgjigje ndaj bombardimeve të vazhdueshme ruse mbi civilët dhe rrjetin energjetik ukrainas.

Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, por ky veprim nuk njihet nga shumica dërrmuese e vendeve të botës. Kievi vazhdon ta konsiderojë gadishullin pjesë të pandashme të territorit të Ukrainës dhe ka deklaruar se nuk do të heqë dorë kurrë nga sovraniteti mbi të.

 

EMISIONET