Armenët votojnë për të ardhmen e vendit mes Lindjes apo Perëndimit

Armenët votojnë për të ardhmen e vendit mes Lindjes apo

Armenët po votojnë të dielën në zgjedhjet parlamentare që pritet të jenë test për mbështetjen për kryeministrin e vendit, pas një marrëveshjeje të diskutueshme paqeje me Azerbajxhanin fqinj dhe përpjekjeve të tij për ta afruar vendin e vogël të Kaukazit Jugor me Perëndimin, pas dekadash varësie nga Rusia.

Ministria e Brendshme njoftoi se 2.49 milionë njerëz janë të regjistruar për të votuar për 18 subjekte politike në 2.005 qendra votimi në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit. Partia e kryeministrit Nikol Pashinian, Kontrata Qytetare, kryesoi në sondazhet para zgjedhjeve përballë disa partive proruse.

Qendrat e votimit u hapën në orën 08:00 dhe pritet të mbyllen në orën 20:00. Rreth 400 vëzhgues ndërkombëtarë janë autorizuar të monitorojnë procesin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se rezultatet paraprake do të publikohen brenda 24 orëve pas mbylljes së votimit, ndërsa rezultatet përfundimtare do të shpallen më 14 qershor.

Marrëdhëniet e Jerevanit me Moskën ishin çështja kryesore elektorale, veçanërisht pas vendimit të Rusisë për të vendosur kufizime ndaj eksporteve armene në javët e fundit, si reagim ndaj afrimit të mëtejshëm të Armenisë me Perëndimin.

Sondazhet sugjerojnë se Kontrata Qytetare gëzon mbështetjen e 24–32 për qind të elektoratit, ndërsa partia proruse Armenia e Fortë ka rreth 6–11 për qind mbështetje, duke u renditur në vendin e dytë. Në prag të zgjedhjeve, autoritetet armene arrestuan gjashtë kandidatë të Armenisë së Fortë, raportuan mediat shtetërore, pa dhënë arsye për arrestimet.

Armenia e Fortë ka deklaruar se synon të ruajë lidhjet ekonomike dhe politike të Jerevanit me Rusinë dhe ka akuzuar Pashinianin për armiqësi të rrezikshme ndaj Moskës. Partia udhëhiqet nga miliarderi rusoarmen, Samvel Karapetian, i cili ndodhet në arrest shtëpiak me akuza për thirrje për rrëzimin e Qeverisë. Ai i ka cilësuar akuzat si të motivuara politikisht.

Mbështetja e SHBA-së dhe BE-së për partinë e Pashinianit

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shfaqur mbështetje për Pashinianin, i cili mori pushtetin në vitin 2018 pas një kryengritjeje popullore kryesisht paqësore e njohur si Revolucioni i Kadifenjtë kundër qeverisë së mëparshme miqësore me Moskën.

Pashiniani ka nisur procesin e anëtarësimit në BE - megjithëse pritet të zgjasë shumë vite - dhe ka avancuar procesin e paqes me Azerbajxhanin fqinj. Kjo politikë e diskutueshme ka forcuar opozitën dhe ka zemëruar edhe disa nga mbështetësit e tij të mëparshëm.

Pashiniani fitoi mbështetje të konsiderueshme nga SHBA-ja pasi pranoi të marrë pjesë në iniciativën e presidentit amerikan Donald Trump, “Rruga për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar” (TRIPP). Procesi i nënshkrimit dypalësh u përfundua pasi sekretari i Shtetit Marco Rubio nënshkroi dokumentin, i cili ishte parafirmosur gjatë një vizite në Jerevan muajin e kaluar.

Departamenti amerikan i Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë se e sheh këtë nismë si “një pjesë vendimtare dhe afatgjatë të sjelljes së paqes dhe prosperitetit në Armeni dhe në Kaukazin Jugor”.

Kryeministri ka tentuar gjithashtu të normalizojë marrëdhëniet me rivalin historik dhe fqinjin e tij, Turqinë, një aleate e ngushtë e Azerbajxhanit. Qeveria e tij ka pezulluar pjesëmarrjen në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), të udhëhequr nga Rusia./REL

EMISIONET