3 RAJONE NË GJENDJE EMERGJENCE / Qeveria italiane shpall vendimin për Sicilinë, Sardenjën dhe Kalabrinë
Qeveria italiane ka shpallur gjendje emergjence 12-mujore për rajonet Sicili, Sardenjë dhe Kalabri pas dëmeve të shkaktuara nga cikloni Harry. Ndërkohë, administrata Meloni autorizon 100 milionë eurosh nga Fondi Kombëtar i Emergjencave për të nisur riparimet urgjente.

Qeveria italiane ka shpallur një gjendje emergjence kombëtare 12 mujore për rajonet Sicili, Sardenjën dhe Kalabrinë, pas dëmeve të shkaktuara nga cikloni Harry.
Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje kabineti nën drejtimin e kryeministres Giorgia Meloni dhe synon të ofrojë ndihmë të menjëhershme për komunitetet më të prekura.
Administrata Meloni ka autorizuar një alokim fillestar prej 100 milionë eurosh nga Fondi Kombëtar i Emergjencave për të nisur riparimet urgjente.
Cikloni Harry, që goditi Italinë jugore midis 18 dhe 22 janarit, konsiderohet nga meteorologët si një nga stuhitë më të forta mesdhetare në dekada.
Valët arritën deri në 10 metra, duke shkatërruar shëtitoret bregdetare, ndërsa disa zona regjistruan mbi 300 mm reshje brenda 48 orësh, trefishi i mesatares së janarit. Ndërkohë rrëshqitjet e dheut kanë vijuar, duke shkaktuar dëme të mëdha.
Ky rast goditi ishullin italian të Siçilisë. Ngjarja ndodhi kur një segment rreth 4 kilometra i gjatë i një shkëmbi u shemb pas reshjeve të dendura të shiut dhe erërave të forta që përfshinë zonën.
Autoritetet lokale bënë të ditur se më shumë se 1 mijë banorë janë evakuuar nga shtëpitë, si masë paraprake për shkak të rrezikut të vazhdueshëm.
Pamjet ajrore tregojnë qartë shkatërrimin e dhjetëra ndërtesave dhe automjeteve të zëna nën masën e dheut dhe shkëmbinjve.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë larg zonave të rrezikuara deri në një njoftim të dytë, ndërsa operacionet e monitorimit dhe sigurisë vijojnë pa ndërprerje.

