Thirrja e policisë: Distancohuni nga dhuna, mos nxisni banorët të sulmojnë efektivët
Policia e Shtetit u bën thirrje banorëve të Unazës që të distancohen nga dhuna dhe të mos bien pre e provokimeve, pasi do përballen me pasojat ligjore.
Në një reagim për mediat, policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që janë prezent tek Unaza e Re, të mos nxisin banorët për të sulmuar forcat e Policisë dhe të shmangin deklaratat disinformuese.
"Gjatë aksionit të nisur mëngjesin e sotëm nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit për prishjen e 33 objekteve në zonën e “Astirit”, për projektin e Unazës së Madhe së kryeqytetit, një grup banorësh kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e IKMT-së dhe punonjësit e Policisë", thuhet në njoftimin e policisë.
Po ashtu blutë e kryeqytetit thonë se banorët kanë sulmuar me gurë, sende të forta dhe bomba moltov punonjësit e Policisë, të cilit ishin planizuar me shërbim.
"Si pasojë e sulmit mbi Policinë janë plagosur 5 punonjës të Policisë nga FNSH-ja, Shqiponjat dhe Patrullat e Përgjithshme, të cilët u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin ushtarak", thuhet në njoftim.
Gjithashtu edhe 7 banorë janë lënduar e po marrin ndihmë mjekësore jashtë rrezikut për jetën.
Policia Rrugore e Tiranës ka bllokuar përkohësisht lëvizjen në të dy krahët e Unazës së Re, deri në përfundim të aksionit të IKMT-së për shembjen e disa objekteve, që do t’i hapin rrugë projektit të ri.
