Dy javë pas atentatit, prokurori Ndoj dhe “Rrumi i Sukthit” lënë spitalin
Prokurori i Durrësit Arjan Ndoj dhe Aleksandër Laho kanë lënë spitalin 18 ditë pas atentatit në mbikalimin e Shkozetit nga i cili vdiq në spitalin e Traumës Andi Maloku. Ndërkohë në funksion të të njëjtit hetim, Gjykata e Krimeve vendosi ti kthejë vetëm celularin modeles Kejvina Kthjella të sekuestruar bashkë me një makinë dhe llogaritë bankare për lidhje me Redjan Rrajën që është i vetmi i arrestuar për sulmin ndaj prokurorit.
Prokurori Arjan Ndoj dhe i ashtuquajturi "i forti i Sukthit" lanë spitalin pasi mjekët kanë gjykuar se tashmë ata nuk kanë asnjë problem shëndetësor nga plagët që morën në atentatin me armë nga i cili vdiq pak ditë më pas në spitalin e Traumës në Tiranë, Andi Maloku.
Ndoj sipas burimeve u kthye në shtëpi me makinën e tij private, ndërsa "Rrumi" u shoqërua me autoambulancë.
Ky i fundit pati marrë një plumb në nofull, e për pasojë kërkoi trajtim më të specializuar në Spitalin e Durrësit që për 18 ditë ishte i blinduar nga Policia.
Gjatë kohës që ishin në spital, Prokurori dhe Aleksandër Laho u morën disa herë në pyetje nga prokurorët e Krimeve të Rënda në funksion të zbardhjes së atentatit tek mbikalimi i Shkozetit.
Që të dy sipas burimeve kanë thënë se nuk kanë konflikte të hapura me asnjë person dhe mbi të gjitha me Redjan Rrahjan, të vetmin të arrestuar në lidhje me ngjarjen.
Ndërkohë Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi pjesërisht kërkesën modeles Kejvina Kthjellës, për ti kthyer sendet personale dhe llogaritë e sekuestruara në kaudër të hetimeve për atentatin ndaj prokurorit.
Gjyqtarja, Daniela Shirkai, ktheu asaj vetëm celularin, por vendosi ti mbajë të bllokuara makinën dhe llogaritë bankare.
Asetet financiare dhe sendet personale të modeles u bllokuan dhe ajo u mor në pyetje pas arrestimit të Redjan Rrajes, pasi rezultonte se kishte komunikime të vazhdueshme me të.
Gati tre javë pas atentatit ndaj prokurorit Ndoj, grupi hetimor ka arritur në konkluzionin se dokumentat e gjetura në automjet nuk kanë lidhje me dosjet e humbura nga prokuroria e Durrësit.
Ndërkohë kamerat e sigurisë nuk kanë kapur itinerarin e autorëve.
Shpresat e grupit hetimor tashme janë rezultatet e analizave të ADN-së, për të ndihmuar në krijimin e profilit të personave që janë ndodhur në automjetin që dyshohet se u përdor për atentatin.
