Shkodër: Tritol poshtë makinës së administratorit të Vllaznisë, një fije e ndau nga tragjedia
Dyshimet që ishte lëndë plasëse u shuan me ardhjen e forcave xhenio nga Tirana. Ato konstatuan se pako e mbështjellë me natriban dhe me një fitil, kishte brenda lëndë plasëse dhe ishte tentuar të ndizej, por fatmirësisht nuk ka arritur të shpërthejë, pasi do të kishte shkaktuar pasoja të rënda, deri edhe në humbje jetë njerëzish, në një zonë tejet të populluar ngjitur me stadiumin “Loro Boriçi” dhe tregun e Zdrales.
Autorët e kanë hedhur pakon poshtë mjetit tip Benz të administratorit Suad Lici, ndërsa mbetet ende e paqartë për grupin hetimor, nëse ata kanë tentuar ta ndezin pas këtij veprimi, apo më herët. Me gjasa mund të jetë tentuar që e gjitha kjo të jetë vetëm një sinjal kërcënimi, pa synuar plasjen, por kjo i mbetet veprimeve më të thelluara hetimore.
U shpresua që kamerat e sigurisë të stadiumit “Loro Boriçi” të mund të ndihmojnë në identifikimin e autorit apo autorëve, por nga këqyrja paraprake, rrezja e tyre nuk kap zonën ku ndodhej i parkuar automjeti, në hyrje të portës së banesës private të familjes Lici. Megjithatë do të bëhet një verifikim më i hollësishëm i tyre nga ekspertët për të pikasur ndonjë person që kryen lëvizje të dyshimtë apo që mund të jetë i maskuar.
Vetë administratori që kishte njoftuar rreth orës 08.30 minuta policinë, mbërriti më vonë në zonë, ku tha për mediat se nuk ka konflikte me njeri, prandaj pret që zbardhjen e ngjarjes ta bëjë drejtësia. Duke u shprehur i prerë se nuk trembet pas kësaj dhe se do të vijojë detyrën si administrator i klubit, Lici kërkon që kriminelet të rrijnë larg sportit.
Suad Lici: Pakon e pashë rreth orës 08:30, lajmërova policinë dhe kaq. Nuk kam pasur asnjë konflikt dhe asnjë problem. Ndoshta lidhet me detyrën, nuk e di. Le t’ia lëmë organeve kompetente, nuk jam unë kompetent, skam konflikt më askënd. Jam njeri i lirë dhe do të vazhdoj të jem i lirë. Nuk kam pasur asnjë lloj problematike, kanë kërkuar njerëz sqarime, i kam sqaruar dhe kaq. Sqarime në lidhje me sportin. Unë jam personi përgjegjës për mbarvarjtjen e punës, formacionin e bën stafi teknik me drejtorin sportiv. Unë kam plotësuar kërkesat e drejtuesve të klubit. Unë do të vazhdoj detyrën dhe sot do jem te ndeshja që do kemi. Ta lënë qytetin që të bëjë jetën e vet sportin. Do vazhdoj jetën time private. Jam njeri i lirë edhe pas kësaj ngjarjeje.
Kryebashkiakja Voltana Ademi u shpreh se nuk duhet të flasim dhe të nxjerrim përfundime për ngjarjen përpara drejtësisë. Ademi theksoi se nuk është momenti për deklarata politike, por shprehu shqetësimin se situata e rendit në Shkodër nuk është aspak e qetë. Ngjarja vjen në ditën që Vllaznia mbush 101 vjet dhe e pyetur për situatat problematike që vitet e fundit kanë shoqëruar Vllazninë, Ademi shprehet:
Voltana Ademi: ''Unë u lajmërova nga mediat dhe erdha menjëherë sepse kam qenë afër. Unë besoj që duhet t'u lemë vendin grupeve të punës, forcave të RENEAS për të bërë një verifikim, dhe në varësi të asaj që do verifikohet do të duhet të bëhen kërkimet e duhura për të bërë të mundur nxjerrjen në dritë të së vërtetës. Shpresoj shumë mos të jetë diçka e tillë, askush në qytetin tonë nuk do probleme kaq të rënda. Në ditën e sotme do të duhet t'u lemë vendin për të punuar të gjithë forcave të policië. Kjo është një kërkesë jo vetëm si kryetare e bashkisë së Shkodrës por si një qytetare. Mendoj se do duhet të presim rezultatet që të nxjerrim përfundimin. Unë skam pasur shqetësime, në këto kohë ka patur aspekte pozitive në menaxhim por duhet të presim, nuk duhet të ngutemi. Në Shkodër situata nuk është e qetë. Kam komunikuar në vazhdimësi me Policinë e Shkodrës, përpiqem t'i mbështes. Sot Më informoi drejtori i policisë i cili më shpjegoi për punën që duhet të kryejnë forcat speciale për vlerësimin e situatës. Duhet t'i lëmë teknicienët të bëjnë punën e duhur. Sot nuk ka problematikë të tillë te Vllaznia, ka një frymë tejet pozitive me grupin dhe tifozerinë, po bëhet një punë serioze. Ngjarjet e mëparshme kanë qenë të paprecedenta, qoftë Policia e Shtetit por dhe vendimet përkatëse nga organet ligjzbatuese, nuk kanë hedhur dritë mbi ngjarjet, dhe kjo peshon mbi drejtësinë. Do jemi këtu përsëri për të diskutuar. Nuk është çështja për të bërë deklarata, nuk mendoj që jemi në kuadrin e deklaratave politike për sa kohë bëhet fjalë për sigurinë e qytetarëve dhe rendin.''
Ish-futbollisti i disa ekipeve dhe tashmë administrator i Vllaznisë, Suad Lici njihet edhe si biznesmen në Shkodër. Ai u emërua nga Voltana Ademi administrator i Vllaznisë në 23 korrik të vitit 2018. Pista kryesore ku po hetohet edhe pse nuk ka të dhëna konkrete është pikërisht puna në drejtimin e kuqebluve, ekip që bashkia Shkodër zotëron aksionet.



