Grabitet Prokuroria e Durrësit, vidhen dosjet në zyrat e prokurorëve
Dosje hetimore të zyrtarëve të lartë u grabitën, ndërsa serveri i prokurorisë së Durrësit u dëmtua nga persona që arritën të futen në mënyrë ende të papërcaktuar brenda institucionit të rëndësisë së veçantë.
Autorët ende të paidentifikuar, por që nga mënyra si kanë vepruar kanë ngritur dyshime edhe për bashkëpunëtorë të brendshëm dëmtuan edhe pamjet e kamerave të sigurisë brenda organit të akuzës. Grabitja në Prokurorinë e Durrësit u evidentua këtë mëngjes dhe mënjëherë ka nisur një hetim i thellë dhe intensiv.
Në kuadër të kësaj pune, asnjë punonjës nuk po lejohet të futet në zyrë deri në fiksimin e të gjitha provave që mund të çojnë në zbardhjen e grabitjes së dytë brenda 16 ditëve të prokurorisë së Durrësit.
Durres- Serveri qëndror i prokurorisë së Durrësit u dëmtua nga persona të paidentifikuar që arritën të futen brenda institucionit, mëngjesin e 24 majit, ku morën dokumente të cilësuara të rëndësishme hetimore dhe pajisjet elektronike që regjistrojnë kamerat e sigurisë.
Prokuroria e Durrësit në reagimin e parë për ngjarjen konfirmon se veç dhomës së serverit autorët kanë hapur me forcë edhe zyrat e një prokurori dhe oficeri të Policisë Gjyqësore.
Vidhet zyra e prokurorit Afrim Shehu
Ora News mësoi se në fokus ka qenë zyra e prokurorit të taks-forcës Afrim Shehu i cili krahas abuzimit me pronat në zonat bregdetare të Durrësit siç ishte edhe rasti i tjetersimit të pronave në Ishëm, po hetonte edhe disa institucione të rëndësishme siç është porti, dogana, bashkia, hipoteka por edhe një sërë grupesh kriminale të cilët dyshohen se ushtronin aktivitetin e pastrim parash.
Prokuroria bën me dije se autorët kanë marrë edhe pajisje CD ku janë regjistruar pamjet e kamerave të sigurisë gjatë vjedhjes.
Ende nuk është përcaktuar se si autorët kanë mundur të futen në ambientet e brendshme të prokurorisë, pasi dera qëndrore hyrëse nuk është e dëmtuar.
Por burimet i thanë Ora News së autorët kanë përdorur pikërisht derën kryesore nga ku kanë hyrë duke përdorur kartat me CIP të punonjësve të organit të akuzës.
Në këto kushte, hetuesit kanë ngritur dyshimin për një vjedhje nga persona të brendshëm ose autorët kanë bashkëpunuar me punonjës të organit të akuzës.
Një tjetër dyshim është se autorët u futen në prokurori duke shfrytëzuar këtë kabinë prapa organit të akuzës nga ku kanë hyrë përmes dritareve të katit të dytë.
Shoqerohen rojet
Dy punonjësit e policisë privatë të Prokurorisë dhe pastruesen e cila konstatoi vjedhjen u shoqëruan në polici.
Prokuroria thotë se ngjarja është regjistruar gjatë natës kur ruhej me roje private dhe është konstatuar vetëm në mëngjes.
Menjëherë janë sekuestruar kamerat e sigurisë, ndërsa ekspertet po fiksojnë shenjat e gishtave dhe prova të tjera për të identifikuar autorët. Kjo është hera e dytë që vidhen materialet në zyrat e Prokurorisë së Durrësit.
Në datën 8 maj dy persona grabitën postierin pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe i morën disa materiale që ai kishte tërhequr nga posta.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë
Me date 24.05.2018 ne oren 06:30 nga ana e punonjësve të prokurorisë se rrethit Gjyqësor Durrës është konstatuar se në ambientet e prokurorisë, persona të paidentifikuar, me sende të forta kanë hapur derën e Zyrës së Serverit ku kanë dëmtuar dhe marrë pajisje elektronike që regjistrojnë kamerat e sigurisë, etj. Po kështu është konstatuar se këta persona kanë hapur me forcë edhe zyrën e një prokurori dhe një zyre të oficerëve të policise gjyqësore. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të vona të nates kur Godina e Prokurorise ruhej nga punonjesit e Policise Private.
Lidhur me rastin është regjistruar procedimi penal për nenet 293/c/2 dhe 313/a dhe 333/a dhe 334 i Kodit Penal dhe po kryhen veprime intensive nga grupi hetimor në lidhje me përcaktimin e faktit dhe identifikimin e autoreve të veprës.




