Një familje nga Kosova u shua si pasojë e një aksidenti të rëndë në Rrugën e Kombit pasditen e të enjtes, 14 janar. Blerim Avdiaj nga Prishtina, së bashku me gruan dhe vajzën humbën jetën pasi autovetura me të cilën po udhëtonin u përplas me një kamion në aksin Milot-Morinë. Bashkë me ta humbi jetën edhe një fëmijë i afërm i viktimave ndërsa mbijetoi nga aksidenti vetëm vajza 3 vjeçe e çiftit të viktimave. Shkak i ngjarjes dyshohet një parakalim i gabuar.

Udhëtimi drejt Shqipërisë u kthye në tragjedi për familjen Avdiaj nga Kosova.

Automjeti “Citroen” me të cilin udhëtonin u përplas me një kamion pasditen e së enjtes në Rrugën e Kombit, në aksin Milot-Morinë.

Ngjarja rezultoi fatal për bashkëshortët Blerim dhe Anjeza Avdiaj 45 dhe 34 vjeç, vajzën e tyre Medina 5 vjeçe si dhe për të afërmin Klejdi Koçin.

Për fat të mirë nga aksidenti tragjik shpëtoi vajza e dytë e familjes, Violeta 3 vjeçare.

Lexo edhe: Humbi prindërit dhe motrën në aksident, mbërrin te Trauma 3-vjeçarja. Ja gjendja e saj

Ajo u transportua në spitalin e Traumës ku mjekët bënë me dije se gjendja e saj është kritike.

Vajza ka disa fraktura por ekipi mjekësor që po kujdeset për të jep shpresë se mund të mbijetojë.

Të plagosurën e vizitoi edhe ambasadori i Kosovës, Nait Hasani, i cili sqaroi më tej situatën e 3 vjeçares.

Sa i përket ngjarjes dyshohet se shkak ishte lëvizja tej normave të lejuara dhe parakalimi i gabuar i drejtuesit të mjetit “Citroen”, Blerim Avdiaj.

Grupi hetimor mori në pyetje drejtuesin e kamionit, shtetasin nga Kosova Isa Ishla, për të hedhur dritë mbi rrethanat e aksidentit ku u shua një familje.

EMRAT E VIKTIMAVE:

Blerim Avdijaj

Anjeza Avdijaj 34 vjeçe
Medina Avdijaj 5 vjeçe
Klejdi Koçi (nip i familjes) 11 vjeç
Violeta Avdijaj 3 vjeçe (e plagosur)

Njoftimi i Policisë:

Lezhë/Informacion paraprak

Në aksin rrugor Milot-Morinë, në afërsi të një karburanti në Rreshen, mjeti tip “Citroen” me të cilin udhëtonte një familje kosovare është përplasur me mjetin tip kamion me drejtues shtetasin I.I.,banues në Kosovë.

Për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi i mjetit tip “Citroen” , bashkëshortja e tij dhe 2 fëmijët dhe është plagosur fëmija i mitur, i cili është transportuar në spitalin e Traumës Tiranë.

Grupi hetimor në vendngjarje punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.

Lexo edhe:

Humbën jetën prindërit me dy fëmijët, pamje nga aksidenti tragjik në Rrugën e Kombit