Zgjedhjet, Myzyraj: Dërgohen në diasporë mbi 245 mijë zarfe me fletë votimi, 8400 mbërrijnë në KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë me dije se deri më tani janë dërguar gjithsej 245,650 zarfe me fletë votimi për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe që janë regjistruar për të votuar me postë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së, 58,128 zarfe janë marrë tashmë nga votuesit në diasporë, ndërsa 8,401 prej tyre kanë mbërritur në selinë e KQZ-së në Shqipëri.
Fletët e votimit janë dërguar për shtetas shqiptarë nga 12 qarqe të ndryshme të vendit, që aktualisht jetojnë në vende të ndryshme të botës.
Qarku i Tiranës mban numrin më të lartë të fletëve të shpërndara me 51,520 zarfe, i ndjekur nga Fieri me 31,752, Elbasani me 25,022, Durrësi me 24,872 dhe më tej qarqe të tjera.
Votuesit në diasporë kanë kohë ta plotësojnë dhe ta dërgojnë fletën e votimit me postë deri në javën e parë të muajit maj. Çdo votë që mbërrin në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.
Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik Tiranë. Aty po përgatiten dhe dërgohen fletët e votimit dhe po aty do të kryhet numërimi i votave të diasporës.
Fletët e votimit do t’u mbërrijnë bashkatdhetarëve tanë në Evropë nga data 15, deri më 22 prill dhe në kontinentet e tjera nga data 15, deri më 25 prill.
Pasi ta marrë zarfin me fletën e votimit, zgjedhësi nga jashtë këshillohet ta dërgojë atë në KQZ brenda 3 ditëve nga momenti i marrjes. Ata nuk do të shpenzojnë asgjë, pasi posta paguhet nga KQZ.


