Topalli e emocionuar në takimin në Selanik: Kushdo që 30 vite më parë ka kaluar malin, është një hero i heshtur
Drejtuesja politike e PD për Diasporën, Jozefina Topalli ka mbajtur fjalën e saj në takimin me emigrantët në Selanik. Gjatë fjalimit, ku u shfaq e emocionuar, Topalli u shpreh se ata që kanë kaluar malin dhe kanë emigruar 30 vite më parë janë heronj të kohëve moderne.
Më tej, Topalli u bëri thirrje atyre shqiptarëve jahstë vendit që nuk kanë mundur të regjistrohen, të vinë më 11 maj në Shqipëri për të votuar, gjë të cilën e quaji një sakrificë të madhe për vendin.
Topalli tha se shqiptarët jashtë vendit janë një fuqi elektorale e jashtëzakonshme.
“Kushdo që 30 vite më parë ka kaluar malin, nuk është një emigrant, është një hero i heshtur i kohëve moderne. Sot këtu kam takuar nga e gjithë Shqipëria. Nëse nuk keni pasur mundësi për të votuar ejani një ditë për Shqipërinë. Një sakrificë të madhe siç keni bërë për familjen tuaj. E di që më 11 maj do merrni rrugën dhe do vini.
Fuqia e shqiptarëve jashtë kufijve është një fuqi elektorale e jashtëzakonshme. E vetmja që mund të bëjë një ndryshim elektoral. Në 10 vite të largohen 1 milion, nuk është thjesht emigracion. Është dëbim për të përjetësuar pushtetin. Më 11 maj jeni fuqia e ndryshimit”, tha Topalli.

