PD: Propaganda e Ramës nuk blen bukë për shqiptarët! Ulja e kredive, një mashtrim për të fshehur varfërinë
Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në qarkun e Beratit, Fatmira Kola, në një deklaratë të fortë ndaj propagandës qeveritare, ka denoncuar mashtrimet e Kryeministrit Edi Rama lidhur me uljen e kredive me probleme dhe "rilindjen" e ekonomisë.
Sipas Kolës, ulja e kredive është një manipulim për të fshehur realitetin e varfërisë në vend, pasi kjo ka ndodhur përmes fshirjes teknike të kredive të humbura nga bilancet e bankave dhe jo për shkak të ndonjë politike të suksesshme qeveritare.
Ajo theksoi se ky realitet ka sjellë një rënie të konsumit, emigrim të vazhdueshëm dhe një ekonomi që nuk arrin të mbështesë qytetarët dhe bizneset e ndershme.
Kola kërkoi nga qytetarët që të përkrahin programin e Partisë Demokratike për të ndaluar këtë spirale të varfërisë dhe për të ndihmuar në ringjalljen e një ekonomie të qëndrueshme.
Deklarata e plotë:
Të nderuar bashkëqytetarë të mi beratas, Të dashur shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.
Jam Fatmira Kola, kandidate për deputete e Partisë Demokratike në qarkun Berat. Në profesion jam pedagoge dhe eksperte e çështjeve financiare dhe bankare.
Në vijim të deklaratave të Kryeministrit Edi Rama, i cili ka pretenduar se ulja e nivelit të kredive me probleme (NPL) është meritë e qeverisë, ndjejmë detyrimin të sqarojmë opinionin publik mbi realitetin e kësaj çështjeje.
Nga njëra anë kemi deklarata optimiste të Kryeministrit për uljen e kredive me probleme dhe “rilindjen” e ekonomisë. Nga ana tjetër, kemi një realitet që flet ndryshe: biznese në vështirësi, konsum në rënie, euro në rënie të lirë dhe një valë emigrimi që nuk ndalet. A jemi duke përjetuar një sukses ekonomik, apo thjesht një manipulim të kujdesshëm të treguesve?
Kreditë me probleme janë ulur, por jo për arsyet që thotë qeveria. Reduktimi i kredive me probleme ka ardhur si pasojë e fshirjes së tyre nga bilancet bankare, përmes shitjes apo klasifikimit të humbjeve – një proces teknik dhe i nevojshëm për të pastruar bilancet, por që nuk ka asnjë lidhje me performancën e politikave qeveritare. Gjatë periudhës janar 2015-qershor 2023, bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre rreth 80 miliardë lekë kredi të humbura.
Sistemi bankar shqiptar ka marrë mbi vete, në mënyrë të pavarur, barrën e kostove nga tërmeti, nga pandemia dhe nga përkeqësimi i mjedisit ekonomik. Në mungesë të një mbështetjeje efektive nga politika fiskale apo investime publike strategjike, bankat kanë qenë të detyruara të menaxhojnë krizat duke ruajtur qëndrueshmërinë financiare dhe besueshmërinë për qytetarët.
Nëse do të kishte vërtet përmirësim të sistemit, ai do të reflektohej në uljen e kostos së huamarrjes, në shtim të aksesit në kredi për bizneset e vogla, në rritje të inovacionit financiar dhe diversifikim të produkteve bankare. Asnjëra prej këtyre nuk po ndodh.
Ndërkohë euro bie, por askush nuk flet për pasojat reale.
Rënia e valutës së përbashkët ndaj lekut po paraqitet si sukses monetar, ndërkohë që godet drejtpërdrejt eksportuesit, bizneset që operojnë në euro, dhe mbi të gjitha familjet që mbështeten në remitanca. Këta qytetarë, që përbëjnë një shtyllë të rëndësishme të konsumit të brendshëm, po shohin fuqinë blerëse të të ardhurave të tyre të tkurret ditë pas dite.
Ulja e konsumit nuk është shenjë kursimi, por pasojë e varfërisë. Kur tregtia bie, dyqanet mbyllen, dhe kur shitjet nuk mbulojnë as qiranë, kjo nuk është “efikasitet i tregut”. Është një sinjal i fortë që tregon se shumica e familjeve shqiptare po mbijetojnë, jo jetojnë. Çmimet janë të larta, të ardhurat të pamjaftueshme, dhe e ardhmja më e pasigurt se kurrë.
Emigrimi nuk është statistikë, është votë kundër një modeli ekonomik që ka dështuar. Kur qytetarët, veçanërisht të rinjtë, zgjedhin të largohen nga Shqipëria, ata nuk e bëjnë këtë për dëshirë personale. Ata e bëjnë sepse nuk shohin më asnjë mundësi reale për t’u ndërtuar këtu. Kjo është një humbje e madhe për vendin, jo vetëm për fuqinë punëtore, por edhe për kapitalin njerëzor që mund të kontribuonte në zhvillim.
Në këtë realitet, të thuash se qeveria po korr sukses sepse kreditë e këqija janë më të ulëta, është njësoj si të mburresh që je shëruar sepse ke hequr termometrin. Nuk janë treguesit që përcaktojnë suksesin, është realiteti që jetojnë qytetarët.
Propaganda nuk mund të zëvendësojë ekonominë reale. Qeveria duhet të ndalë së përdoruri arritjet teknike të sektorëve të pavarur si fletë lavdie për veten. Të gjitha strukturat e shtetit duhet të përqendrohen te krijimi i një modeli të qëndrueshëm ekonomik, që rrit produktivitetin, mbështet biznesin e ndershëm dhe u jep qytetarëve arsye për të qëndruar.
Është e papranueshme që meritat për performancën e këtij sektori të atribuohen nga Kryeministri në mënyrë të pavërtetë dhe të njëanshme. Sistemi bankar nuk është instrument propagandistik dhe as nuk mund të shërbejë si alibi për mungesën e rezultateve të prekshme në ekonomi nga qeveria.
Ndaj, i bëj thirrje gjithë qytetarëve dhe sipërmarrësve të dalin masivisht për votim më 11 maj dhe të votojnë programin e Partisë Demokratike-AMSH, që ta bëjmë sërish Shqipërinë të jetueshme duke promovuar ekonominë e qëndrueshme në mbështetje të qytetarëve, biznesit dhe gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.



