KQZ pa qëndrim për lobimin e PD-së/ Celibashi: Deklarimi bëhet dy muaj pas rezultatit të zgjedhjeve
Kontrata e lobimit të PD në ShBA për momentin nuk do të jetë pjesë e veprimeve të KQZ. Pak javë më parë SPAK deklaroi se ka nisur verifikimet, ndërsa kryekomisioneri Ilirian Celibashi përgjigjet me afatet e parashikuara nga kodi zgjedhor
Këtë qëndrim, e dha gjatë prezantimit të pajisjeve elektronike të votimit, të cilat do të përdoren në njësinë 10 dhe në Vorë për zgjedhjet parlamentare.
Sa i përket votës së diasporës, 70 mijë emigrantë kanë kthyer fletët me votat e tyre por ende një pjesë e vogël e zarfeve nuk janë nisur
“Partitë politike kanë detyrim që të depozitojnë në KQZ raportin e të ardhurave dhe shpenzime vjetore jo më vonë se data 31 mars e vitit pasardhës. Dhe subjektet zgjedhore kanë detyrimin që të depozitojnë raportin mbi të ardhurat dhe shpenzimet, jo më vonë se 60 ditë pas shpalljes e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.”
Celibashi shtoi se, “detyrimi për subjektet zgjedhore, përfshi në këtë rast edhe koalicionin PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, për të depozituar çdo dokument që flet mbi të ardhurat dhe shpenzimet përfundon jo më vonë se 60 ditë nga shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve”.
“Nuk ka detyrim për këtë subjekt, por dhe për çdo subjekt tjetër që të depozitojë në KQZ në në këtë moment dokumente, të cilat tregojnë mbi të ardhurat dhe shpenzimet e tyre si subjekt zgjedhor. Që do të thotë se nuk e kemi këtë kontratë dhe nuk kemi asnjë lloj detyrimi, tej spekulimeve që bën dikush, për t’ia kërkuar PD-së në këtë moment. Kanë moment deri në 60 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve”, tha ai.
“Në momentin që do ta kemi këtë kontratë do të japim dhe vlerësimin dhe gjykimin tonë për këtë dokument. Për momentin nuk kemi se çfarë themi më shumë se kaq”, tha Celibashi.
Celibashi shtoi se për sa kohë nuk është depozituar kontrata në fjalë, KQZ nuk jep dot një vlerësim dhe mendim.
“Më vjen keq, por nuk të komentoj rastin konkret për sa kohë ai rast nuk është bërë objekt shqyrtimi nga KQZ. Kur ta kemi këtë objekt shqyrtimi, do ta bëjmë të ditur për ju”, sqaroi kreu i KQZ.