Gjirokastër: Flakët përpijnë banesën, vdes 12 vjeçarja, i ati rëndë në spital
Një vajzë 12-vjeçare, Kristianthi Ndriço, ka humbur jetën për shkak të flakëve që kanë përfshirë banesën ku ajo jetonte së bashku me babanë e saj.
Flakët kanë rënë në mbrëmjen e së dielës, 28 Nentor. Vogëlushja dhe babai i saj kanë marrë djegie të shumta.
Menjëherë ata janë nisur drejt spitalit në Gjirokastër por e mitura nuk ka mundur tu mbijetojë plagëve të marra.
Mësohet se fshati Derviçan gjatë ditës së djeshme ka qenë pa energji elektrike, ndërsa vajza 12-vjeçare ka ndezur një qiri sapo ka nisur të errësohet.
Paraprakisht dyshohet se shkak i zjarrit mund të ketë qenë rënia e qiriut në divan.
Flakët kanë përfshirë gjithë orenditë e shtëpisë, ndërkohë vajza 12-vjeçare është munduar të mbyllet në banjë për t’i shpëtuar flakëve por është asfiksuar nga tymi.
Po ashtu i ati në përpjekje për të gjetur dhe për të shpëtuar të bijën ka marrë plagë të rënda dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve ekspertët kanë nisur verifikimin e provave për të zbuluar dhe shkaqet që sollën ngjarjen e rëndë.
Për rastin tragjik reagoi mbrëmjen e djeshme edhe deputeti i PD-së në Gjirokastër, Tritan Shehu, sipas të cilit Derviçani prej orës 14 të së dielës ka qenë pra energji elektrike.
Sipas tij ngjarja ka qenë e paralajmëruar pasi familjet prej ditësh përdorin mjete ndriçuese primitive, pasi mungesa e dritave është e zakonshme.
“Për rrjedhojë, një ngjarje tragjike, humbi jetën një fëmijë”, shprehet Shehu.


