Gjeneratori i vuri flakën Radhimës, vihet në kontroll zjarri, shmanget rreziku për banesat e hotelet
Pas më tepër se 2 orësh në luftë me flakët, në Radhimë situata paraqitet më e qetë.
Vatra e zjarrit paraqitet nën kontroll teksa është eleminuar rreziku i hoteleve, karburantit apo banesave përreth. Zjarri ndërkohë vijon në kodër.
Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, duke folur për mediat tha se zona paraqet rrezikshmëri të lartë për shkak të bimësisë së thatë ndaj dhe kërkoi një aksion pastrimi nga njësia administrative dhe bashkia e Vlorës.
"Situata në Radhimë është qetësuar, pothuajse të gjitha zonat e rrezikut pranë hoteleve janë eleminuar. Kemi vatrën sipër në kodër që po menaxhohet nga zjarrfikësit të shikojmë derisa ta përmbyllim dhe këtë fazë. Falenderoj banorët e zonës që u angazhuan në fikjen e zjarrit.Kemi pasur defekt nga një kabinë elektrike e cila ka lëshuar një shkëndijë në një terren që ka qenë i papërshtashëm për tu ruajtur nga zjarri. Shpresojmë që edhe me njësinë administrative dhe bashkinë e Vlorës të ketë një ndërhyrje masive në këtë zonë të pastrimit të gjësë së thatë, bimësisë dhe ferrave në këtë zonë pasi vazhdon të jetë e rrezikshme. Jemi në kulmin e sezonit turistik dhe sasia e mjeteve që qarkullojnë në këtë zonë është shumë e lartë dhe pengojnë jo vetëm lëvizjen e zjarfikësve por edhe mjeteve të tjera që janë në ndihmë të shuarjes së zjarrit".
Nisi nga gjeneratori
Zjarri i madh në Radhimë të Vlorës u shfaq në orët e pasdites së sotme.
Shkak u bë një shkëndije elektrike e cila ka djegur gjeneratorin elektrik të zonës dhe më pas flakët janë përhapur më tej si pasojë e erës duke djegur shkurre dhe bimësinë përreth.
Në vendngjarje mbërritën katër zjarrfikëse, të cilat po punojnë për shurjen e zjarrit që rrezikoi një karburant aty pranë, banesa dhe njësi hoteliere.
Si pasojë e djegies së gjeneratorit Radhima dhe Orikumi kanë mbetur pa energji elektrike.











