Çelet fushata elektorale, Berisha dhe Basha përballë njëri-tjetrit me 6 mars, test politik për demokratët

Edhe pse kandidatët për 6 bashkitë janë prezantuar prej ditësh, zyrtarish fushata zgjedhore është çelur këtë të shtunë, 19 shkurt. Basha dhe Berisha do të përballen me njëri-tjetrin për të fituar mbështetjen e demokratëve, ndërsa Edi Rama do të kërkojë të përfitojë nga përçarja e opozitës.

Në 6 bashkitë, Durrës, Shkodër, Dibër, Vorë, Lushnje dhe Rrogozhinë hapet zyrtarisht  fushata zgjedhore për të kërkuar votat e qytetarëve në 6 mars.

Partia Socialiste më në krye Edi Ramën do të ketë përballë 2 ekipe të demokratëve, Lulzim Bashën me kandidatët e tij dhe ish kryeministrin Berisha me të zgjedhurit nga primarët e 31 janarit.

Të gjitha palët i kanë bërë publike emrat më të cilët do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme vendore, por socialistët pretendojnë që të marrin nën kontroll 6 bashkitë, madje me objektivin për t’i marrë demokratëve edhe ishullin e fundit, Shkodrën.

Përveç garës me socialistët,  6 marsi do të jetë një test politik në mes të demokratëve Sali Berisha dhe Lulzim Basha.

Shefi i selisë blu do të duhet të tregojë forcën politike ndaj parardhësit të tij në PD, i cili me ndihmën e LSI-së dhe PDK garon me kandidatët e tij nën logon e “Shtëpisë së Lirisë” për të kërkuar votën e qytetarëve dhe në veçanti atë të demokratëve.

Shkodra do të shndërrohet në betejën e votave mes Bashës dhe Berishës, ndërsa Rama shpreson të përfitojë nga përçarja e votave mes demokratëve.

648 536 zgjedhës me 6 mars do t’i drejtohen 940 kutive të votimit në 6 bshkitë për të zgjedhur mes alternativave politike, të cilët do të qëndrojnë në detyrë rreth një vit.

Përveç identifikimit elektronik, në bashkinë e Vorës do të aplikohet e plotë teknologjia, pasi banorët e kësaj zonë do të votojnë në mënyrë elektronike dhe votat e tyre do të numërohen në të njëjtën mënyrë.

BASHKIA SHKODËR

Partia Socialiste       - Majlinda Angoni

Partia Demokratike - Xhemal Bushati

Shtëpia e Lirisë     -  Bardh Spahia

BASHKIA DIBËR

Partia Socialiste       - Rrahim Spahiu

Partia Demokratike - Luan Haka

Shtëpia e Lirisë     - Premtim Kryemadhi

Lëvizja e Re          - Dritan Torba

BASHKIA DURRËS

Partia Socialiste       - Emirjana Sako

Partia Demokratike - Luan Hoti

Shtëpia e Lirisë     - Ardian Muka

BASHKIA VORË

Partia Socialiste       - Blerim Shera

Partia Demokratike - Ymer Marku

Shtëpia e Lirisë     - Lulzim Vrana

BASHKIA RROGOZHINË

Partia Socialiste       - Edison Memolla

Partia Demokratike - Ferdinand Saraçi

Shtëpia e Lirisë     - Hekuran Xhani

BASHKIA LUSHNJE

Partia Socialiste       - Eriselda Sefa

Partia Demokratike - Indrit Sefa

Shtëpia e Lirisë     - Elton Bano

EMISIONET