Zgjedhjet vendore në 14 maj? Presidenti nis konsultimet me palët, Berisha pret Metën
Presidenti Bajram Begaj ka nisur konsultimet me partitë politike për të vendosur datën e zgjedhjeve vendore që do të duhet të mbahen në një nga të dielat mes datave 15 prill deri në 15 maj. Paradite në selinë e presidencës ka mbërritur Oerd Bylykbashi, nga PD-ja, e pas tij Fatmir Mediu, Agron Duka, Dashamir Shehi dhe Vangjel Dule, në cilësinë e kryetarëve të partive të vogla që janë edhe pjesë të parlamentit.
14 maji është data më e mundshme që të mbahen zgjedhjet e ardhshme vendore. Për të marrë propozimet nga partitë, Presidenti i Republikës Bajram Begaj nisi këtë të martë konsultimet me aktorët.
Për të shmangur paragjykimin që e përndjek që në përzgjedhjen e tij si kreu i shtetit nga Partia Socialiste, i pari që u thirr ishte nënkryetati i PD-së, Oerd Bylykbashi. Me këtë veprim, ndryshe nga socialistët Presidenti nuk e ka mbyllur derën për partinë që drejtohet nga Sali Berisha.
Aleatët e Berishës, Mediu, Shehi, Dule dhe Duka i kanë propozuar Kreut të Shtetit të djelën e fundit të periudhës së caktuar në Kod.
"Menduam që data 14, që është data më e fundit, është data më e mirë," tha Mediu.
Për Ilir Metën më shumë se dita e zgjedhjeve, rëndësi ka mos vonesa për shpalljen e dekretit.
"Çdo datë është e pranueshme. E papranueshme është se kemi 4 vjet që kemi një pushtet vendor të paligjshëm," tha ai.
Por para zgjedhjeve vendore Edi Rama do të përballet me dyshen Meta-Berisha, te cilët kanë nisur hartimin e aksionit të tyre opozitar.
"Me Berishën kemi folur edhe për zgjedhjet edhe për protestën," tha Meta.
Për të propozuar datën e zgjedhjeve në Presidencë do të shkojë edhe Enkelejd Alibeja pasditen e së mërkurës, ndërsa i fundit nga partitë politike do të jëtë PS me kreun e grupit parlamentar Taulant Balla, takim që do të mbahet të enjten në orën 9:00.

