"Zgjedhjet e 6 marsit do t'i kalojmë me sukses", Tabaku: Opozita është e fortë kur demokratët janë bashkë
Deputetja demokrate Jorida Tabaku ishte e ftuar në studion e Ora News me gazetarin Everest Dedaj ku foli për aferën më të madhe korruptive, atë të incineratorëve.
Tabaku u ndal edhe te situata në PD dhe tha se sot nuk janë në ditët më të mira.
Tabaku: Di të them që jemi në ditë të vështira. Zgjedhjet lokale janë një test që do ta kalojmë me sukses dhe besoj se ka një energji të jashtëzakonshme demokratësh. Ka nevojë për një opozitë të fortë dhe opozita e fortë është kur të gjithë demokratët janë bashkë dhe ne jemi të gjithë në këmbë në Parlament.
Tabaku shtoi se është e nevojshme që PD të jetë sa më shumë në terren dhe me qytetarët. Me gjithë vështirësitë që mund të ketë opozita, tha ajo, gjëja më e domosdoshme që duhet bërë për të ngritur kauzat e duhura dhe për të ringritur shpresën është takimi me njerëzit.
Tabaku: Është e nevojshme ta intensifikojmë praninë në terren.
Po çfarë situatë gjejnë në terren?
Tabaku: Ka njerëz që janë të shqetësuar për situatën në PD, ka njerëz që pyesin se si do ta kalojmë. Mendimi kundër nuk të vret. Besoj që kam dëgjuar mendime dhe sugjerime me vlerë këtë kohë më shumë se sa kam dëgjuar gjatë 4 viteve të mandatit të kaluar.
Tabaku tha të gjithë bien dakord që duhet një opozitë e fortë që nesër të jetë një qeveri e fortë dhe PD të vijë në qeverisje.

