Zbardhet grabitja në Durrës: I humbi paratë në bixhoz, menaxheri organizon vjedhjen e karburantit

Zbardhet grabitja në Durrës: I humbi paratë në bixhoz,

Policia ka zbardhur vjedhjen me dhunë të një karburanti në Fllakë të Durrësit mëngjesin e djeshëm, 6 qershor.

Blutë e Durrësit kanë arrestuar menaxherin e firmës, Gert Farruku 23 vjeç, i cili kishte simuluar ngjarjen me qëllim justifikimin  e shumave të mëdha të parave të xhirove ditore që i kishte humbur duke luajtur lojëra fati.

Policia ka bërë edhe arrestimin e pronarit të lokalit, Arsid Haxhija 22 vjeç, që ushtronte veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit, ku menaxheri i karburantit kishte humbur lekët duke luajtur lojëra fati.

Nga hetimet e kryera dhe mbledhja e të gjitha provave procedurale është konstatuar se në momentin e vjedhjes një person i maskuar ka zbritur nga një mjet dhe i ka vjedhur me dhunë xhiron ditore shtetasit Gert Farruku, 23 vjeç, menaxheri i kompanisë.

Gert Farruku për një periudhë 2-mujore ka vjedhur sistematikisht kompaninë ku ai punon duke deklaruar shuma më të vogla se fitimi.  Shumën e lekëve të përfituara nga mosdeklarimi, ky shtetas e ka luajtur në lotari të palejuara në lokalin e 22 vjeçarit Arsid Haxhija  i cili ka përfituar shuma të mëdha parash nga shtetasi Gert Farruku.

Siç informon policia, menaxheri i firmës dyshohet se e ka organizuar vjedhjen për të larë  borxhet që ka patur në loto.   

Policia vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprën penale "Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën" në ngarkim të shtetasit Gert farruku dhe "Organizimi i lotarive të palejuara" në ngarkim të shtetasit Arsid Haxhija.

EMISIONET